BotaLajme

SHBA: Është jetike që BE-ja të mbajë dyert e hapura për Ballkanin

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka mirëpritur deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, drejtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Borrell në Samitin e Bërdo-s në Slloveni ka thënë se dyert e BE-së për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë të hapura, përkundër raportimeve të fundit në disa medie kredibile botërore se BE është ngopur me tensionet e vazhdueshme në Ballkan dhe mund të mos pranojë fare këto vende.

“Ne mirëpresim deklaratën e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia vazhdojnë të demonstrojnë angazhimin e tyre për reformën. Është jetike që BE të mbajë dyert e hapura për Ballkanin”, shkroi Ned Price në llogarinë e tij në Twitter.


Ndërkohë Borrell tha për medie se qëllimi i këtij Samiti ishte dërgimi i sinjalit se procesi i zgjerimit po vazhdon teksa ka thënë edhe disa fjalë për dialogun Kosovë-Serbi.

“Në këtë takim ne duhet të japim një sinjal të besueshëm për vazhdimin e procesit të zgjerimit, por kjo është një rrugë me dy drejtime. Nga njëra anë, kandidatët duhet të vazhdojnë reformat dhe duhet të lënë mënjanë dallimet e tyre. Nga ana jonë, Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucionet duhet të përmbushin angazhimet e tyre. Ne do të flasim gjithashtu veçanërisht për çështjet e sigurisë dhe çështjeve të jashtme. Ne duhet të harmonizojmë politikën tonë të jashtme, sepse për t’u përballur me sfidat e përbashkëta, kemi nevojë për më shumë koordinim”, tha ai.

“Për Serbinë dhe Kosovën, jam i lumtur të shoh që ditët e fundit kemi kapërcyer disa vështirësi në kufi, në Veri të Kosovës, dhe tani duhet të vazhdojmë procesin e Dialogut në mënyrë që të zgjidhim problemet mes vendeve kandidate. Në rrugën drejt Evropës, zgjerimi kërkon që të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të vazhdojnë me reformat. Por ne duhet t’i japim një vazhdimësi të besueshme procesit të zgjerimit”, përfundoi Borrell.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button