Lajme

Shaip Kamberi rizgjidhet deputet pas rivotimit në Bujanovc

Shaip Kamberi do të jetë sërish deputet në Kuvendin e Serbisë, ka shkruar portali “Presheva”.

Ai ka marrë votat e nevojshme për të përfaqësuar shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, pas rivotimit në qendrën numër 6 në Bujanovc, të enjten.

Portali “Presheva” shkruan se Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës mori 686 vota, derisa partia e presidentit serb Alkesandar Vuçiq, 11 vota. Kamberit i duheshin 650 vota për t’u rizgjedhur deputet.

Rezultatet e kësaj qendre të votimit u anuluan, pasi u konstatuan parregullsi të shumta në zgjedhjet e 3 prillit.

Më 3 prill, koalicioni që udhëheq Kamberi kishte marrë vetëm 226 vota nga 1.089 të mundshme në një vend pothuajse tërësisht me shqiptarë.

Për votimin e tij, të enjten ka bërë thirrje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Për dy mandate përfaqësimi z. Kamberi ka qenë gjithmonë i zëshëm gjatë seancave parlamentare në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe në denoncimin e regjimit autokratik në Serbi. Ai e pati mbajtur fjalimin e parë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Serbisë së pasluftës”, shkroi Kurti të enjten në Facebook.

Kamberi ishte deputet edhe në dy mandatet e kaluara dhe në shumë raste ngriti zërin për çështjet e shqiptarëve në Luginë, por edhe në Kosovë e më gjërë.

Rezultati i rivotimit të së enjtes në qendrën numër 6 në Bujanovc, nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button