A do t’i bashkohet kryeministri Abazoviq Ballkanit të Hapur?
Dritan Abazoviq është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi në një qeveri të pakicës. Ai është bërë kryeministri i parë shqiptar në histori të këtij shteti.
Abazoviq pritet të ketë përgjegjësi të mëdha si kryeministër i këtij vendi, ndërkohë që një temë me rëndësi që e pret është ajo e Ballkanit të Hapur, nisme rajonale e nisur nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.
Në një konferencë online të mbajtur në dhjetor të vitit 2021, ai ishte përgjigjur kështu lidhur me këtë çështje.
“Qëllimi i Malit të Zi është anëtarësimi në BE, ne nuk po kërkojmë diçka që i ngjan BE-së, çdo gjë që duket si zëvendësim është e rrezikshme për vendin. Megjithatë, unë nuk e shoh Open Balkan si një mënyrë për të shkatërruar këtë qëllim. Unë shoh në një mënyrë tjetër që mund të ndihmojë integrimin evropian. Sepse ne duhet të rrisim besimin, të kemi më shumë sukses dhe kjo nuk ka shumë barriera”, tha Abazoviq.
Kosova refuzon t’i bashkëngjitet kësaj nisme, edhe pse me Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020 ajo ishte pajtuar të bëhet pjesë e kësaj nisme.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se Procesi i Berlinit është e vetmja rrugë përpara për Kosovën drejt integrimeve europiane.