KosovaLajme

Deklaratat e Daçiç kanë për qëllim zbehjen e shtetësisë së Kosovës

Situata në vend po vazhdon të jetë e tensionuar dhe me shumë zhvillime politike. Për të mos mjaftuar ngjarjet brenda vendit, ndërhyrja me deklarata nga ana e Serbisë po shton dramatikën e vendit.

Së fundmi është ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq që paralajmëroi që do të ketë tërheqje të njohjeve për Kosovën.

Bëhet fjalë për një vend të vogël ishullor, njohur si Ishujt Comoro të vendosur në kanalin mes Madagaskarit, Tanzanisë dhe Sejçeles.

Këta ishuj kanë njohur pavarësinë e Kosovës që në vitin 2009, ndërkohë që tërheqja e njohjes së njoftuar nga Ivica Daçiç është pasqyruar në mediet serbe.

Kujtojmë që sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator skadon zotimi i Serbisë për të mos lobuar për ç`njohjet e Kosovës dhe pas kësaj date, Beogradi mund të lobojë për çnjohje mirëpo që lobimi ka filluar që më herët.

Pula: Nuk mund të ketë tërheqje të njohjeve për Kosovën, nëse e njëjta ka atributet substanciale të të qenurit shtet

Në lidhje me këtë temë, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se nuk është hera e parë që i njëjti ministër bënë këso lloj deklaratash karshi Kosovës.

Sipas tij kjo metodë po shihet si një fuqi politike e Serbisë për minimizuar rolin shtetëror të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për këtë arsye Ministria e Jashtme duhet të zhvillojë veprime diplomatike më aktive për sa i takon procesit mbi njohjet.

“Republika e Kosovës, e specifikisht Ministria e Jashtme , duhet të ndërtoj e zhvilloj veprime diplomatike më aktive për sa i takon procesit mbi njohjet, për t’iu kundërvënë rolit destruktiv të Serbisë. Që nga shpallja e pavarësisë me 2008-tën e deri më tani, bartës të institucioneve të Serbisë nuk e kanë ndalur këtë fushatë mbi ‘ç`njohjet’ e as Ivica Daçiq, prandaj, kjo duhet kuptuar, si fuqi politike e Serbisë, për të minimizuar rolin shtetëror të Kosovës për anëtarësim në organizata Evropiane e ndërkombëtare. Si Republikë dhe si institucione, pra bartësit e saj, duhet kuptuar qartë dhe saktë, se subjektiviteti shtetëror në të drejtën ndërkombëtare nënkupton zotërimin e zotësisë mbi të drejtat dhe detyrimet ndërlidhur me aftësinë për t’u përfaqësuar ndërkombëtarisht. Kështu që, ky dhe deklarimet e mëparshme, të bartësve të institucioneve të Serbisë, paraqesin agresivitetin endemik karshi Kosovës”, u shpreh ai.

Tutje, Pula thotë se çnjohja e një shteti mund të ndodh vetëm kur humb atributet substanciale i të qenurit shtet e që në rastin tonë kjo fushatë e Serbisë është tendencë për minimizuar sovranitetin shtetëror të Kosovës.

“Në të drejtën ndërkombëtare publike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, njohja në vetvete konsiderohet akt politik dhe diplomatik, atëherë, çnjohja e një shteti ndodh vetëm kur humb atributet substanciale i të qenurit shtet, pra territorin, popullsinë, qeverinë dhe kapacitetin për të hyrë dhe krijuar marrëdhënie me shtete të tjera. E në rastin tonë, fushata për ‘tërheqje të njohjeve apo çnjohje’ nga Serbia, ka të bëjë me tendencën e vazhdueshme për ta minu sovranitetin shtetëror të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo, duhet kuptuar edhe si sabotim”, tha Pula.

Voca: Qëllimi serb është zbehja e shtetësisë së Kosovës

Ndërsa Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, tha se këto deklarata nga ana e Serbisë nuk dallojnë nga ato të Millosheviçit dhe bëhen vetëm për të zbehur shtetësinë e Kosovës apo edhe provokuar.

“Garnitura politike serbe nuk ndryshon nga ajo e epokës së S. Milosheviç në Serbi. Prandaj, aktualisht nuk duhet pritur diçka më mirë në diskursin politik serb, i mbushur gjithnjë me dezinformim, agresivitet, i cili promovon pareshtur ide hegjemoniste, dhe provokon ende kombe tjera në rajon për qëllime territoriale. Në rastin e Kosovës, qëllimi serb është për të zbehur shtetësinë e Kosovës apo provokuar ndonjë mundësi për zgjerim të territorit serb siç pretendohet edhe ndaj Bosnjës ku Shteti serb do të dëshironte të sheh dështim për të shkëputur pjesën serbe atje”, thekson ai.

Tutje, profesori thotë se kjo deklaratë e Daçiq do të duhej të na shërbente vetëm për të punuar edhe më me entuziazëm për konsolidim të Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë.

“Natyrisht që diskurse të tilla serbe sikur kjo e I. Daçiq, duhen analizuar por që nuk duhet të humbasim kohë në deklarata të tilla. Deklarata e Daçiq do të duhej të na shërbente vetëm për të punuar edhe më me entuziazëm për konsolidim të Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë. Kosova është tashmë e njohur nga Shtetet më të rëndësishme të botës demokratike dhe nuk ka vend për asnjë dyshim në konsolidimin e saj të jashtëm”, thotë profesori.

Ndër të tjera ai shton se Kosova mund të ketë njohje të reja dhe ç`njohjet nuk mund të ndodhin aq lehtë siç pretendon Daçiq.

Më tej profesori shprehet se pozita e Kosovës është duke u forcuar në rajon ndërsa Serbia mbetet ende në mentalitetin e një politike, e futur dhe e mbetur në gjirin e një strategjie ruso-kineze, e cila është larg frymës demokratike perëndimore.

“Përballë diskursit të Daçiq, Kosova ka pritje të mëdha siç janë integrimet në organizata ndërkombëtare, vazhdimet e njohjeve nga vende tjera, përforcimi i pozitës së saj në rajon dhe shumfishimi i partneritetit në nivel ndërkombëtar. Natyrisht që Kosova mund të ketë njohje të reja nga vende që hezitojnë ta bëjnë formale njohjen e Kosovës. Prandaj, Daçiq flet për tërheqje të njohjeve, praktikë kjo që natyrisht nuk njihet në marrëdhënie ndërkombëtare, ndërsa Kosova përforcon personalitetin e saj juridik të brendshëm dhe atë ndërkombëtar, shton njohjet dhe konsolidimin e saj në arenën ndërkombëtare. Pozita e Kosovës është duke u forcuar në rajon ndërsa Serbia mbetet ende në mentalitetin e një politike, e futur dhe e mbetur në gjirin e një strategjie ruso-kineze, e cila është larg frymës demokratike perëndimore”, thekson ai.

Në fund, profesori shprehet se është për tu lavdëruar progresi dhe zhvillimi demokratik i Kosovës që pavarësisht çdo gjëje kanë arritur të jenë në një rrugëtim demokratik.

“Është për tu lavdëruar, progresi dhe zhvillimi demokratik në Kosovë. Ky është një realitet i pakthyeshëm, i përqafuar nga populli i Kosovës, dhe një rrugëtim demokratik së bashku me shtetet mike që i qëndruan gjithnjë përkrah popullit shqiptar edhe në rrethana mjaft komplekse”, përfundon Voca.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button