Rriten esportet, 57 mln euro më shumë/ Rritje në tre fusha mineralet, nafta dhe energjia elektrike
Eksportet shqiptare po rimëkëmben me shpejtësi pasi nuk kanë ndalur vrullin as në korrik.
Të dhënat zyrtare të Instat tregojnë se muajin e kaluar eksportet arritën në 32 miliardë lekë, rreth 57.6 milionë euro më shumë se kundrejt një viti më parë, duke tejkaluar edhe nivelet e parakrizës.
Mjaft pozitiv bilanci i tregtisë së jashtme në drejtim të eksporteve paraqitet edhe si raport 7-mujor, pasi vlera e tyre shënoi 209 miliardë lekë duke kapërcyer edhe nivelet e vitit 2019. Në raport me një vit më parë, u zgjeruan me 59 miliardë lekë apo rreth 486.9 milionë euro.
Grupi i materiale ndërtimi dhe metale ka dhënë edhe ndikimin kryesor në ecurinë pozitive të eksporteve duke shënuar një rritje me 13.8% krahasuar me një vit më parë, teksa edhe eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë elektrike janë rritur përkatësisht me 12.3% më shumë se 7-mujori i kaluar.
Përmirësim të lehtë ka shënuar edhe grupi më i madh eksportues në vend tekstile e këpucës, edhe pse me ritme më të ngadalta se grupet e tjera. Sipas INSTAT, fasonët eksportuar rreth 66.2 miliardë lekë mallra deri në fund të korrikut, rreth 66.6 milionë euro më shumë se një vit më parë, por ende me gjithë përmirësimin nuk po arrijnë dot nivelet e parakrizës.
Kosova, Spanja dhe Italia janë edhe vendet drejt të cilave eksportet shqiptare kanë parë rritjen më të madhe në pjesën e parë të vitit.
Edhe importet janë gjeruar ndjeshëm këtë 7-mujor me rreth 29.8% më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë pasi në fund të korrikut arritën në 426 miliardë lekë, diktuar kryesisht nga rritja e importeve të makinerive e pjesëve të këmbimit si dhe produkteve ushqimore, pijeve e duhanit.
Ndërsa deficiti tregtar nga ana tjetër është thelluar më tej në 217 miliardë lekë, rreth 39 miliardë lekë më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.