LajmeSport

Distria e jashtëzakonshme, fiton finalen për një minutë

Distria Krasniqi ka shkëlqyer në finale të Grand Slamit në Tbilisi. Distria e mposhti hungarezen Reka Pupp, që ishte bartësja e parë. Distria ishte bartësja e tretë në kategorinë deri 52 kilogramë, ku gradualisht po del në majë.

Distria e kontrolloi luftën nga fillimi, ndërsa pa kaluar një minutë realizoi hedhje të shkëlqyeshme. E vazhdoi aksionin duke e mbajtur në mbërthim hungarezen dhe kështu fitoi me Ippon.

Distria edhe një herë ka dëshmuar që është prej më të mirave në kategorinë deri 52 kilogramë, ku u kthye pas Lojërave Olimpike të Tokios. Në Tokio ajo fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë.

Në gjysmëfinale, Distria e kaloi francezen Astride Gneto, që ishte bartësja e dytë. Fillimisht e mposhti brazilianen Maria Taba e më pas edhe holandezen Naomi Van Krevel.

Distria ka shfaqur xhudo të nivelit të lartë gjatë tërë ditës dhe kështu siguroi vendin në shkallën më të lartë të podiumit.

Me Puppin, Distria u takua për herë të katërt. Tashmë ka tri fitore e një humbje. Humbjen e vetme e kishte pësuar më 5 nëntor të vitit të kaluar, kur ende po e kërkonte formën në 52 kg.

Për Distrinë kjo është medalja e katërt e madhe këtë vit. Ishte e artë në Grand Prix në Portugali në janar. Në fillim të muajit shkurt fitoi medalje të argjendtë në Grand Slamin e Parisit. Në Evropian ishte e treta, në muajin prill. Dhe tani fitoi edhe një të artë për të vazhduar rrugëtimin e veçantë.

Distria është garuesja e vetme e Kosovës në Grand Slamin e Tbilisit në Gjeorgji.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button