Arbëreshët rikthehen në Shkodër
Nga Kalabria në Shqipëri dhe nga Kruja në Shkodër, arbëreshët erdhën sërish në tokën e tyre dhe festa sapo nisi.
Ishte kalaja “Rozafa”, stacioni i tyre i parë në Shkodër dhe nën një atmosferë elektrizuese por edhe emocionuese nën ritmet e këngëve dhe melodive arbëreshe zgjodhën të ndiznin pishtarët duke “flakëruar” gjithë ambientin përreth.
Pas vizitës në Kishën e Zojës së Shkodrës, mbërritën në qendër të qytetit duke u ndalur në institucionin e bashkisë ku u pritën nga kryetari i saj, Bardh Spahia, ndërsa në emër të arbëreshëve, grupi i Folesë Kombëtare i kërkoi kryetarit të bashkisë vendosjen e një pllake përkujtimore në Postribë dhe Gurin e Zi të betejave të fituara nga Skënderbeu ndaj ushtrive veneciane dhe atyre osmane ndërsa pas takimit në bashki, arbëreshët vijuan paradën e tyre përgjatë rrugëve të qytetit.
Ardhja e arbëreshëve në Shqipëri lidhet me 555-vjetorin e çlirimit të Krujës ndërsa përmes valleve dhe këngëve tradicionale do ta vijojnë rrugëtimin e tyre për në kryeqytet.