Lajme

Blinken dhe Austin në Ukrainë, premtojnë ndihmë të re ushtarake

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, qëndruan të dielën vonë në Kiev, ku takuan presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Sipas raportimeve në media, zyrtarët amerikanë përsëritën mbështetjen për Ukrainën, në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse, dhe premtuan ndihmë të re, në vlerë prej më shumë se 700 milionë dollarësh.

Rreth gjysma e parave do të shkojnë në Ukrainë, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet midis anëtarëve të NATO-s dhe aleatëve të tjerë rajonalë.

Përveç kësaj, SHBA-ja do t’i shesë Kievit municion në vlerë prej 165 milionë dollarësh.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka ndarë tashmë disa miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke përfshirë edhe 800 milionë dollarë të tjerë më 21 prill.

Zyrtarët amerikanë përsëritën se ndihma nuk nënkupton përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-së në Ukrainë.

“Presidenti ka qenë shumë i qartë: nuk do të ketë trupa amerikane që luftojnë në Ukrainë”, tha një zyrtar i mbrojtjes për mediat amerikane.

Vizita e Blinkenit dhe Austinit në Kiev është vizita e nivelit më të lartë amerikan, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Dy zyrtarët amerikanë takuan edhe ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, ministrin e Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, dhe ministrin e Brendshëm, Denys Monastyrsky.

Udhëtimi i tyre u shfrytëzua edhe si mundësi për të njoftuar se Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev do të fillojë të rihapet këtë javë.

Dy zyrtarët amerikanë përmendën edhe emrin e diplomates amerikane, Bridget Brink, si ambasadore të re të SHBA-së.

Brink, e cila aktualisht është ambasadore në Sllovaki, do të plotësojë pozitën në Kiev, e cila ka mbetur boshe qysh në fillim të vitit 2020, kur president i SHBA-së ka qenë Donald Trump. Mediat amerikane raportojnë se administrata e presidentit Joe Biden do ta emërojë atë zyrtarisht gjatë ditës së hënë.

Ambasada amerikane në Kiev është mbyllur pas shpërthimit të luftës, ndërsa një zyrë e përkohshme e saj është zhvendosur në Poloninë fqinje.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button