Lajme

5 vjet të tjera në krye të Francës, Macron: Jam president i të gjithëve

Edhe pse ende rezultati nuk është zyrtarizuar, Emmanuel Macron ka siguruar mandatin e dytë 5-vjeçar si president i Francës. Ai mposhti në raundin e dytë të zgjedhjeve lideren e ekstremit të djathtë, Le Pen. Sipas “exit poll”-eve, Macron ka triumfuar me diferencë në këtë garë, me 58 përqind të votave, ndaj 42% të rivales së tij.

Le Pen pranoi humbjen, ndërsa tha se do të vazhdojë luftën e saj politike në Francë. Ndërkohë, gati dy orë nga mbyllja e votimeve, Emmanuel Macron shpalli fitore në një fjalim në kullën Eiffel. Macron falënderoi votuesit e tij, ndërsa theksoi se është i vetëdijshëm që shumë e votuan atë sepse donin të bllokonin të djathtën ekstreme.

“Që tani e në vazhdim, unë nuk jam më kandidat i një partie, por president i të gjithëve. U them atyre që votuan të djathtën ekstreme se përgjegjësia ime dhe e ekipit tim do të jetë të adresoj shqetësimet e tyre”, tha Macron.

“Unë do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe barazi mes burrave dhe grave. Ne duhet të tregojmë respekt sepse vendi ynë është kaq i ndarë… askush nuk do të lihet mënjanë. Kjo epokë e re nuk do të vazhdojë me metodat e 5 viteve të fundit. Lufta në Ukrainë tregon se ne po jetojmë kohë tragjike”, shtoi më tej Macron.

Fjalimi i presidentit u mbyll me interpretimin e Marsejezës, himnit kombëtar francez.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button