Lajme

Sali Berisha: Do të kthehem si kryeministër

Në një konferencë për mediat, mbrëmjen e së mërkurës, ish-kryeministri Sali Berisha, me 4,200 firmat e mbledhura për të thirrur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike mbi tavolinë, u shpreh se do të kthehet kryeministër.

Ai njoftoi se Floriana Garo do të jetë drejtoresha e Komunikimit të nismës që ai e cilësoi si historike.

“Prej më shumë se një muaji mori jetë në një moment kritik të historisë së pluralizmit lëvizja e një grupi deputetësh, drejtues qendrorë e lokalë të PD, me qëllimin më madhor, ringritjen e PD, shndërrimin e saj në një forcë vigane opozitare dhe me mision çmontimin e narko shtetit, rikthimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë.

Ky proces ka një kusht, para së gjithash dhe mbi të gjithash shndërrimin e PD në një forcë të vlerave konservatore në Shqipëri”, tha Berisha.

Berisha u shpreh më tej se formularët do të dorëzohen në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike.

“Foltorja është shpirti i njerëzve të lirë të zhytur në pesimizëm.

Për të gjitha këto, delegatët e Kuvendit Kombëtarë firmosën masivisht formularin e dorëzuar për të thirrur në ditën e themelimit të PD Kuvendin që do të bëjë Shqipërinë me opozitën më vigane që ka pasur ndonjëherë.

Në respekt për publikun, këtu kemi sjellë 4200 formularët e 4200 delegatëve të kuvendit të PD. Siç e shihni përpara kemi një shumicë, jo vetëm të PD por de facto të Shqipërisë, këtu është shumica e njerëzve të lirë.

Grupi përfaqësues i firmëtarëve ka vendosur që këto formularë historik të rithemelimit të pluralizmit politik në Shqipëri t’i depozitojë në selinë e PD, ti depozitojë te kryetari i këshillit kombëtar të PD, Edi Paloka.

Në forumet e PD, për dramën e kësaj partie, i vetmi institucion i konstatuar pas kuvendit është Këshilli Kombëtar”, u shpreh Berisha.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button