Lajme

Shqipëria lobon për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka kërkuar pranimin e Kosovës në UNESCO.

Këtë kërkesë, Xhaçka e bëri gjatë sesionit të 41-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO, i cili përkoi me 75-vjetorin e krijimit të kësaj organizate.

“Përfshirja e Kosovës, jo vetëm që do të ishte gjëja e duhur, por është një domosdoshmëri nëse më të vërtetë prioritet është adresimi i pretendimeve të përsëritura lidhur me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike në Kosovë. Sepse e vërteta është që nuk ka mënyrë më të mirë dhe efikase për t’u marrë me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, sesa përpjekjet e përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare. Prandaj unë sinqerisht shpresoj që arsyeja do të prevalojë dhe Kosova do të jetë e mirëpritur këtu, në mënyrë që qytetarët e saj, shqiptarët, serbët, dhe të tjerët, t’i bashkohen këtij komuniteti të madh dhe të punojnë së bashku me shtetet e tjera në promovimin e parimeve dhe vlerave që na bashkojnë të gjithëve”, u shpreh ministrja Xhaçka në fjalën e saj.

Ministrja Xhaçka vlerësoi kontributin që Shqipëria jep në sistemin e OKB-së, teksa konfirmoi se vendi i saj mbështet reformat e ndërmarra nga UNESCO, për modernizimin dhe transformimin strategjik të saj.

Duke përshëndetur dhe uruar organizatën në këtë përvjetor, Xhaçka shprehu sigurinë për vijimësinë e rolit unik dhe kontributit të organizatës, në adresimin e sfidave globale.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button