Escobar: S’kemi ndonjë mosmarrëveshje me BE-në për dialogun Kosovë-Serbi, po punojmë ngushtë
Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para vizitës në Bosnje dhe Hercegovinë, ka thënë se dëshiron t’u dërgojë mesazh qytetarëve të këtij vendi se nuk do të ketë luftë.
“Unë me të vërtetë dua që njerëzit në Bosnje ta dinë se ne jemi të përkushtuar që nuk do të ketë luftë. Dhe, më besoni, të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe nënshkruesit e tjerë të Dejtonit, ku përfshihet Kroacia dhe Serbia janë të përkushtuara që të mos shohin një luftë në rajon”, ka thënë Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai do të mbërrijë në Bosnje dhe Hercegovinë më 7 nëntor.
Tensionet në Bosnje janë në rritje pasi entiteti i Republika Sërpskës ka ndërmarrë disa veprime kohën e fundit, të cilat janë vlerësuar se po dëmtojnë rendin kushtetues të vendit dhe udhëheqësi serb i Bosnjës, njëherësh anëtar i presidencës trepalëshe, Millorad Dodik, ka kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe.
Escobar ka thënë se do të fliste me ambasadorin e SHBA-së në Sarajevë, para se të shpallte sanksionet e mundshme, pa specifikuar se cilat sanksione mund të ishin një fjalë.
Në këtë intervistë, Escobar ka theksuar se SHBA-ja po punon ngushtë me Bashkimin Evropian në Ballkanin Perëndimor, përfshirë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Radio Evropa e Lirë: Ju do të vizitoni të dielën (7 nëntor) Bosnjën. A është kjo vizitë pjesë e presionit, të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po e bëjnë ndaj vendit për të shpejtuar reformat për integrime evropiane?
Gabriel Escobar: Nuk do ta quaja presion, por do të thosha që më shumë është një partneritet. Pra, Dejtoni (Marrëveshja që ndali luftën në Bosnje më 1995 v.j) ka mbajtur paqen për 25 vjet, prandaj kemi për qëllim që të shkojmë dhe të shprehim mbështetjen tonë për sovranitetin, integritetin dhe pavarësinë. Përtej kësaj, unë dua të zhvilloj një sërë takimesh për të diskutuar sa i takon potencialit për zhvillim ekonomik të rajonit dhe mënyrat se si Amerika mund të ndihmojë në krijimin e mundësive, nga të cilat Ballkani do të përfitonte realisht.
Radio Evropa e Lirë: Për çfarë lloj ndihme bëhet fjalë? A mund të na sqaroni?
Gabriel Escobar: Epo, ka shumë mundësi për ndihmë. Së pari, unë i kam dërguar mesazh Bashkimit Evropian se Ballkani është një rajon i mundësive dhe se unë do të doja të shihja përshpejtim të procesit të zgjerimit. Por, unë, gjithashtu, do të doja t’i inkurajoja kompanitë amerikane dhe evropiane që ta shohin Ballkanin për atë që në të vërtetë është: një treg me një rritje të shpejtë, universitete të shkëlqyera dhe në një pozicion të jashtëzakonshëm gjeografik. Pra, kjo lloj ndihme ka për qëllim fillimisht rritjen e ndërgjegjësimit për mundësitë, dhe së dyti, për të eksploruar për rrugët tjera që mund të ndjekim për të ndihmuar, misionet për tregti, mbështetje e USAID-it (Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar) dhe mbështetja potenciale e DFC-së (Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së). Të gjitha këto janë në tryezë. Dhe, unë pres që të takohem me liderë modern dhe liderë, të cilët e kanë këtë lloj mentaliteti për integrimin në sistemin evropian dhe integrimin brenda Ballkanit Perëndimor. Kështu që unë do të zhvilloj takime, jo vetëm me politikanë, por edhe me biznese.
Radio Evropa e Lirë: A do të takoheni me Millorad Dodikun?
Gabriel Escobar: Kjo do të vendoset më vonë në konsultim me ambasadorin tonë në Sarajevë.