Petkoviç i ankohet për Kosovën ambasadorit turk – Ky i fundit s’e komenton
Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Turqisë në Serbi, Hami Aksoja, të cilit i ka “biseduar” për situatën politike dhe “të sigurisë” në Kosovë.
“Petkoviç e informoi ambasadorin turk për veprimet e Prishtinës, të cilat ai tha se janë gjenerues të tensioneve në veri të Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe sigurinë në terren dhe në mbarë rajonin”, shkruan njoftimi i kësaj zyreje fiktive.
Petkoviç tha se “refuzimi i Prishtinës për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel, që kanë të bëjnë para së gjithash me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, drejtësinë dhe energjinë, është një burim i vazhdueshëm tensioni dhe shkakton shqetësim të madh për sigurinë e popullit serb në Kosovë”.
Ai gjithashtu ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk ka ndërmend të ndalë provokimet dhe presionet ndaj serbëve dhe se deklarata e tij e sotme se nuk do të lejojë “Bosnjëzimin”, gjegjësisht formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duhet intepretuar në atë.
Ai tha se në takimin e ardhshëm në Bruksel temë kryesore do të jetë Bashkimi i Komunave Serbe, me të cilin, siç tha ai, BE-ja është pajtuar në deklaratën e fundit për dialogun.
“Qëllimi i Asociacionit është të mbrojë pozitën dhe të drejtat e popullit serb në Kosovë, dhe në javët e fundit kemi qenë dëshmitarë të një numri në rritje të sulmeve të motivuara etnikisht ndaj serbëve, duke rrezikuar pronën dhe ekzistencën e tyre në tërësi”, rënkoi Petkoviç.
Ai theksoi se Beogradi mbetet i përkushtuar vazhdimisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në tryezën e bisedimeve dhe krijimin e parakushteve për stabilizim dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq ambasadori turk as që i ka zënë në gojë të komentojë ankesat e zyrtarit serb.