Mehaj në SHBA: Mbështetja që më është konfirmuar është ngjarje historike për vendin tonë
Minsitri i Mbrojtjes Armend Mehaj, tash e sa ditë është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në SHBA, ku është takuar me autoritetet më të larta të Departamentit të Mbrojtjes në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka njoftuar se sot është takuar me zv. Asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes Laura Cooper, ku janë zhvilluar konsultime bilaterale për çështjet e mbrojtjes.
Mehaj ka theksuar se me këtë rast, Cooper ka shprehur konsideratat e larta për zhvillimet e suksesshme në fushën e mbrojtjes, duke e falenderuar posaçërisht për përkrahjen që ka dhënë Kosova në procesin e akomodimit të refugjatëve afganë.
“Znj.Cooper në emër të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, konfirmoi përkrahjen për Kosovën, si partnere dhe eksportuese e paqes në nivelin global, të dëshmuar edhe me rastin e bashkëzbarkimit në misionin paqeruajtës përkrah ushtrisë amerikane, si dhe rolin e tonë në nivelin rajonal”, ka bërë të ditur Mehaj.
Ai ka shtuar se ka falënderuar Cooper për përkrahjen e vazhdueshme dhe partneritetin e shkëlqyeshëm duke i shprehur gatishmërinë maksimale për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë, ndërveprueshmërinë ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane, duke vënë theksin në ushtrimet e përbashkëta si dhe mundësitë për bashkëzbarkime të reja në misione të përbashkëta me Ushtrinë Amerikane.
“Gjithashtu e ritheksova ofertën e Kosovës për SHBA-në për krijimin e një baze të përhershme ushtarake në Kosovë, për të kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë në nivelin rajonal. Me znj. Cooper u dakorduam bashkërisht për veprime konkrete sa i përket anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, blerjet ushtarake përmes FMS (Foreign Military Sale), avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes kibernetike, si dhe rritjen e pjesëmarrjes në misione dhe ushtrime të përbashkëta ndërmjet Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së”, ka bërë të ditur Mehaj.
“Tani na mbetet që të gjitha objektivat të angazhohemi t’i realizojmë bashkarisht, me besim e vullnet të plotë, përkushtim dhe angazhim vetëmohues, si dhe qeverisje të mirë dhe transparencë të plotë. Partneriteti me SHBA-në dhe mbështetja e pazëvendësueshme që më është konfirmuar është ngjarje historike për të ardhmen e sigurtë të vendit tonë dhe gjithë rajonit. Zoti e bekoftë SHBA-në dhe miqësinë tonë të përjetshme!”, ka shtuar ai.