Deputeti i Tropojës: Pse mund të kërkojmë referendum për t’u bashkuar me Kosovën
Deputeti demokrat i zonës së Tropojës, Isuf Çelaj, ka ngritur nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë alarmin për largimin e investimeve dhe shërbimeve nga Tropoja.
“Si deputet i lidhur ngushtë me Tropojën, kam detyrimin sot të ngre zërin për gjendjen në të cilën ndodhen këto treva, banorët fisnikë të malësisë, si pasojë e harresës së shtetit. Në fakt përkufizimi i duhur do të ishte: mungesës totale të shtetit. Kanë kaluar 8 vite nga qeverisja juaj e Rilindjes dhe në Tropojë nuk është parë më asnjë metër asfalt në rrugët rurale, pra ato që lidhin fshatrat me qytetin dhe mes tyre dhe investimi i fundit në këtë infrastrukturë është në qeverisjen e Partisë Demokratike para vitit 2013”, tha Çelaj.
Sipas tij, është alarmant fakti se tani do të mbyllet edhe Gjykata e Tropojës si pjesë e projektit për rishikimin e hartës gjyqësore.
“Edhe gjykata do të migrojë në Kukës, ashtu si të gjitha shërbimet e tjera. Ky është projekti që ofron pushteti i sotëm për Tropojën. Do ta mbyllë gjykatën dhe drejtësinë do ta ofrojë vetëm në Kukës.
Pra, fjala vjen, një pensionist që i duhet të hapë një çështje gjyqësore për të drejtën e tij, do të duhet të shkojë në Kukës për të marrë drejtësi. Ndërsa të paraburgosurit e qendrës së paraburgimit në Tropojë, do të merren me policë e të dërgohen për masë sigurie në Kukës në vend që të merrnin masën në B.Curri ku ka vite e vite që ofrohet drejtësi me gjykatë funksionale. Tani jo më, dhe kjo falë Rilindjes që Tropojën e ka lënë në harresën e mjerimit.
Thirrja ime ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, Ministrit të Drejtësisë, Presidentit të Republikës që ta shohin rastin e Gjykatës së faktit të rrethit Tropojë, ta trajtojnë si rast specifik për vetë pozitën gjeografike por edhe faktorëve të infrastrukturës dhe distancës me qendrën e qarkut të mos e mbyllim këtë shërbim jetik për qytetarët e Tropojës!” tha Çelaj.
Deputeti tha se është e patolerueshme që Tropoja të ketë probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike.
“E lënë në harresë, e mjeruar, pa përkujdesje dhe pa investime, Tropoja nuk ka rrugë tjetër vetëm të shpresojë ti kthehen shërbimet ose të mendojë seriozisht të kërkojë referendum për bashkimin me Kosovën, të paktën atje qytetarët e kësaj bashkie marrin shërbimet kryesore,” e mbylli fjalën e tij deputeti në seancën e sotme plenare.