Gazeta zvicerane: BE gënjen për zgjerimin me Ballkanin, e kanë zakon
“Marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë bërë thellësisht të pasinqerta, duke theksuar se fajin për këtë e ka vetë BE-ja”. Ky është konkluzioni i gazetës zvicrane, Neue Zürcher Zeitung.
Po ashtu në shkrimin e saj citohet se kryetarja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, në vizitën e saj disa ditore në Ballkan, vetëm sa përsëriti frazën boshe, frazë e cila realisht ia shpifë qytetarëve të këtij rajoni.
“Ballkani Perëndimor nuk ka iluzione sa i përket zgjerimit të BE-së, sepse krejt çka kanë dëgjuar është një retorikë për “perspektivë evropiane” dhe ”vlera të përbashkëta”.
Trillimi i zgjerimit të plotë të BE-së duhet së pari të braktiset, për të bërë hapa të mëtejshme. Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së e dinë se nuk do të kishin influencë në rajon, por kjo influencë tashmë është e dobët, siç edhe u pa në konfliktin e disa ditëve më parë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan gazeta zvicrane.
Sipas saj, BE mund të jetë një faktor fuqie vetëm nëse ofron një ofertë të besueshme dhe tërheqëse për rajonin. Vetëm atëherë BE do të ketë në dorë opsionet e sanksioneve, me të cilat mund të ndikojë në sjelljen e vendeve partnere në Ballkan.
Duke u bashkuar me Zonën Ekonomike Evropiane, BE ka një model që mund t’u ofrojë këtyre vendeve, ndërsa anëtarësimi lidhet me kushtet që kërkojnë plotesimin e reformave nga të 6-ta vendet.
“Vetëm në këtë mënyrë historia e ‘perspektivës evropiane’ mund të rimarrë përmbajtjen e saj të vërtetë”, përfundon artikullin e saj prestigjiozja zvicerane.