Escobar: SHBA partnere me të gjitha partitë, por aleanca jonë është me shqiptarët
Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, tha sot për Euronews Albania se SHBA është partnere me të gjitha partitë në Shqipëri, por më së shumti ajo është aleate e shqiptarëve dhe aspiratave të tyre.
Escobar e dha këtë përgjigje gjatë një video-konference për mediat që zhvilloi sot rreth marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e reciprocitetit të targave.
Gjatë konferencës ai u pyet nga korrespondenti i Euronews Albania për Kosovën, Kosovë Gjoci. Ky e pyeti Escobarin rreth pakënaqësive që janë shfaqur së fundmi në Shqipëri ndaj faktit se Departamenti Amerikan i Shtetit po përqendrohet më së shumti tek opozita në një kohë kur ka një perceptim të shtuar se korrupsioni është përhapur masivisht në qeveri.
Zyrtari i lartë i shtetit amerikan u përgjigj duke thënë se aleanca e SHBA është me popullin shqiptar dhe jo me ndonjë parti të veçantë.
“Shikoni, unë-ne jemi partnerë me të gjitha partitë dhe të gjithë individët, dhe të gjithë institucionet që po mundohen ta çojnë Shqipërinë drejt një orientimi më demokratik, më transparent dhe më perëndimor. Por më tepër se kaq, aleanca jonë me Shqipërinë është me qytetarët shqiptarë dhe aspiratat e tyre, jo me ndonjë parti në veçanti apo me ndonjë individ në veçanti,” – tha zv. ndihmës sekretari i shtetit.
Gjatë deklaratës së tij për mediat në Kosovë, Escobar e cilësoi si një ditë të suksesshme arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi se të dyja vendet duhet të vijojnë dialogun dhe të ulin tensionet mes tyre.