Lajme

BE nuk jep më garanci për anëtarësimin e Ballkanit

Bashkimi Evropian, nga frika e reagimit politik në vendet anëtare, nuk mund të pajtohet më për të dhënë garanci për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, citon agjencia e lajmeve Reuters katër diplomatë të bllokut dhe një dokument të brendshëm.

Lajmi vjen përpara një samiti të BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni.
Sipas një draft-deklarate të datës 11 shtator dhe të parë nga agjencia Reuters, në këtë samit, BE-ja ka planifikuar të përsërisë premtimin e saj të bërë 18 vjet më parë, për “mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.
Por, kjo draft-deklaratë ka kaluar në së paku dy raunde bisedimesh pa marrëveshje, thanë diplomatët.

Reuters shkruan se ky mospajtim në BE “përkon me shpërthimin e tensioneve në kufirin Kosovë-Serbi”.

Kriza atje ka nisur më 20 shtator, për shkak të disa masave të reciprocitetit që Kosova i ka vënë Serbisë.

Në një samit të mbajtur në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, ku kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”, kanë thënë ato.

Që atëherë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok./REL

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button