DiasporaLajme

21-vjeçarja shqiptare synon Bundestagun gjerman

Dafina Berisha, 21-vjeçarja shqiptare nga Hamburgu, me të dy prindërit nga Kosova, kandidon për një ulëse në Bundestag.

Theksohet se në vitin 2017, kur ishte ende nxënëse gjimnazi, vendosi të hynte në Partinë Socialdemokrate, për të vendosur një shenjë simbolike edhe kundër hyrjes në Bundestag të partisë së djathtë populiste, Alternativë për Gjermaninë (AfD), shkruan Deutsche Welle.

AfD-ja kishte arritur të bëhej forca e tretë në Parlament, duke bërë fushatë kundër refugjatëve të ardhur në vitin 2015 nga lufta e Sirisë.

Dafina Berisha në Hamburg është e nënta në listë, dhe siç i shpjegoi ajo në DW, nuk do të jetë e lehtë të hyjë në Parlament, sepse Hamburgu përfaqësohet vetëm me gjashtë deputetë në Bundestag. Por kandidaturën e saj ajo e sheh edhe si një ftesë ndaj migrantëve të tjerë, e sidomos atyre shqiptarë, për t’u angazhuar në vendin ku jetojnë.

“Shumë shqiptarë me banim në Gjermani janë aktivë në partitë e Kosovës, por unë mendoj, se me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në politikën e këtushme, ata mund të ndikojnë më së miri edhe në të mirë të Kosovës”, thotë studentja e drejtësisë.

Prandaj edhe Dafina Berisha i është drejtuar elektoratit shqiptaro-gjerman nëpërmjet rrjeteve sociale me një videoklip në shqip.

Mesazhi i saj: “Votoni për socialdemokratët, sepse me ta do të jetë më e lehtë rruga e Kosovës drejt BE-së”.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button