Rritet çmimi i bukës edhe në Kukës, qytetarët: Do e marrim me verësi
Qarku i Kukësit prej vitesh rezulton si më i varfër në vend. Nga kjo e hënë kostoja e jetës së banorëve do rritet dhe më shumë. Kjo për shkak se çmimi i bukës u rrit dhe në këtë qytet.
Buka me peshë 1 kg u rrit me 10 lekë, ndërsa të tjerat me 5 lekë. Konsumatorët thonë se bukën do e marrin me listë ose me lekë borxh.
“Të marr bukë veresie do marr borxh s’më del për bukë”.
“Do ndikojë aq tepër sa listat në fletore do bëhen aq të gjata sa s’ka më. Fukarallëku do jetë i tejskajshëm”.
Të papunët dhe pensionistët do ta kenë më të vështirë të blejnë këtë produkt të përditshëm.
Njerëzit janë pa punë krejt po rrinë rrugëve po emigrojnë. Vijmë me qindarka me ble bukë”.
“S’kemi të ardhura ku ti marrim pensioni nuk del”.
“Kemi mbaruar kujt ti kërkojmë llogari. Rritet buka, rritet çdo gjë, është rrit e mishi. Mishin e shohim vetëm në vitrinë tani.
“Rriten çmimet, të rritet dhe rroga”.
Bukëpjekësit në Kukës ashtu si në gjithë Shqipërinë jashtë kameras kanë sqaruar se u detyruan të rritin me 5 deri 10 lekë çmimin e bukës për shkak të shtrenjtimit të miellit.