Ç’po ndodh në Shqipëri? Rriten çmimet në bare dhe restorante
Pas rritjes së çmimit të produkteve bazë, një valë shtrenjtimi po vihet re edhe në bare e restorante.
Per kafen por edhe pijet e tjera qe konsumojne në kohën e lire shqiptaret po paguajne me shume.
Enri Jahaj, i cili drejton Shoqatën e Bareve dhe Restoranteve, shpjegon se kjo është një rritje normale, për aq kohë sa lënda e parë në tregun botëror është në të njëjtin trend rritës.Arsye ai rendit edhe krizën e shkaktuar nga pandemia.
ENRI JAHAJ – KRYETAR I SHOQATËS SË BAR-RESTORANTEVE
“Janë rritur çmimet e lëndës së parë. Kafeja po rritet tani si lëndë e parë dhe do të reflektohet në disa rritje cmimesh. Po bëhet një rritje normale që do të vijë për të reflektuar të ardhurat e munguara apo fitimet e munguara sepse edhe klientela ka rënë në bare e restorante.”
Jahaj thote se Shqipëria ka cmimet më të ulëta të kafesë në bare e restorante kur e krahason me rajonin.
ENRI JAHAJ – KRYETAR I SHOQATËS SË BAR-RESTORANTEVE
“Tregu do të vetërregullohet, jemi i vetmi vend në rajon që kemi çmimet më të ulëta të ofertës, kafes, ujit dhe ushqimit në baret dhe restorantet tona. Duhet të ketë vend për të shkuar në logjikën e rajonit, Kosovë dhe Maqedoni, ku krahasuar me ta, ne jemi 30% më lirë.”
Aktualisht, pronarët e lokaleve po ndjejnë shtrenjtimin e çmimit të kafesë me të cilën furnizohen dhe në mënyrë zinxhir kjo rritje do të reflektohet edhe në produktin përfundimtar që konsumojnë klientët.
MEMETJON BEQO – PRONAR LOKALI
“Kafeja që importoj është rritur, është rritur mesatarisht me 100 lekë për kilogram.”
Megjithatë, operatorët e tregut mendojnë se kjo rritje mund të presë edhe 2-3 muaj sepse baret e restorantet kanë stok produktesh.
MEMETJON BEQO – PRONAR LOKALI
“Kjo rritje mund të presë, kush importon kafenë dhe ai që pjek kafenë në Shqipëri, ka një stok. Pas dy muajsh do të dalë çmimi real i ngritur. Është pjesë e lojës kam idenë.”
Shtrenjtimi i çmimeve të produkteve në lokale është vënë re që pas daljes nga karantina, si reflektim i shkurtimit të të ardhurave diktuar nga pandemia. Operatorët e fushës thonë se kriza të tilla po ndryshojnë pikëpamjen e menaxhimit dhe po merren masa që bizneset të mbijetojnë nëse përballen sërish me situata kufizuese.