Mediet serbe komentojnë debatin për arkivat e UÇK-së
Gazeta “Politika” në një artikull lidhur me këtë çështje, shkruan për reagimin e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, ku ai në Facebook ka shkruar se marrëveshja e hapjes së arkivave të UÇK-së është sikur Prishtina të pranojë se Kosova është krahinë e Serbisë.
Klinaku sipas kësaj gazete, tha se ajo që ka ndodhur gjatë raundit të fundit të bisedimeve në Bruksel mes Prishtinës edhe Beogradit është gabim, mirëpo ka shtuar se ata nuk kanë çka të fshehin.
Këtë deklaratë ai e ka bërë në profilin e tij ku shtoi se arkivat e UÇK janë të hapura sepse në to “nuk ka asgjë që duhet të fshihet”.
“Nëse është e vërtetë se zëvendës-kryeministri Besnik Bislimi u pajtua me palën e Serbisë që të hap arkivat e UÇK-së, kjo është njëjtë sikur të pajtohej se Kosova është krahinë e Serbisë”, ka shkruar Klinaku.
Ndërsa drejtori i zyrës (së ashtuquajtur) për Kosovën, Petar Petkoviç ka kumtuar pas bisedimeve në Bruksel se pala e Prishtinës ka dëshmuar absolutisht mosgatishmëri për dialog dhe bisedime për çështjet kyçe, por është me rëndësi se është bërë përparim kur bëhet fjalë për të pagjeturit dhe që Prishtina përfundimisht pranoi se ekzistojnë arkiva të UÇK-së dhe pranoi hapjen e tyre.