Ambasada e SHBA-së në Tiranë: Vendimi i Bashës për Berishën meriton respekt
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar pas vendimit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar.
SHBA-ja në një reagim ka thënë se ky vendim i Bashës meriton respekt.
Sipas Ambasadës së SHBA-së, Partia Demokratike ka demonstruar se ka kurajën për t’u ndarë nga e kaluara, me qëllim që të ndërtojë të ardhmen për Shqipërinë.
“Vendimi i vështirë i shpallur dje nga kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajën për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Më tej thuhet se Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presin me kënaqësi të punojnë më ngushtë se kurrë me kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA – Shqipëri.
Kujtojmë se dje Basha në një konferencë për media lajmëroi përjashtimin e përkohshëm të Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, për shkak se ky i fundit u shpall kohë më parë person non grata nga SHBA-ja.