Kur do të paraqiten mësuesit në shkollë? Ministria e Arsimit i jep fund aludimeve mbi datën
Pas ankesave të njëpasnjëshme të arsimtarëve se janë thirrur në punë nga drejtuesit e shkollave, pa ezauruar lejen e plotë vjetore Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar është detyruar të sqarojë se, pavarësisht situatës jo të favorshme, mësuesit do të kthehen normalisht në shkolla vetëm pasi të kenë përfunduar afatin 45-ditor të pushimit.
Nga sa kuptohet përmes njoftimit të DPAP-it, ndonëse institucionet arsimore të parauniversitarit çelin dyert në të njëjtën ditë, mësuesit, jo detyrimisht paraqiten të gjithë në një datë.
Kështu, disa prej tyre i bie të nisin punën në 23 gusht, domethënë sot e të tjerë në datën 30 për të qenë gati për mësim në ditën e parë të shtatorit.
Çdo vit, praktikisht, mësuesit, ndonëse paraqiten në shkolla ditë përpara datës së paracaktuar për nisjen e saj, kryejnë vetëm disa orë pune e jo ditë të plotë. Njëjtë do të ndodhë edhe sivjet, pavarësisht datës së shtyrë për nisjen e vitit të ri shkollor.
URDHRI PËR SHKOLLAT
Prej ditësh, rrjetet e grupet sociale të krijuara që në kohën e post tërmetit në shkolla “vlojnë” pas alarmit për t’u kthyer në punë një javë më herët se zakonisht. Janë drejtoritë e shkollave ata që janë akuzuar (jo hapur) nga mësuesit se po keqpërdorin pushtetin e situatën e krijuar për të thirrur mësuesit në shkollë para afatit.
Por, këtyre zërave iu ka dhënë fund Drejtoria e Arsimit Parauniversitar, në përbërje të së cilës janë katër të tjera që theksojnë se janë hiç më pak se 45 ditë kalendarike pushim për mësuesit. Në rast se nuk i kanë kryer, ligjërisht, nuk iu takon të paraqiten sot në punë.
“Në mbështetje të ligjit nr.7961 dt.12.07.1995 ‘Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar, të ligjit nr.69/ 2012, datë 21.06.2012 ‘Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar dhe të Kontratës Kolektive të lidhur midis Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Sindikatave të Arsimit, periudha e lejes për mësuesit, gjatë verës nuk mund të jetë më pak se 45 ditë kalendarike.
Duke qenë se jemi në fazën përmbyllëse për organizimin e vitit të ri mësimor, nga të gjithë drejtuesit e shkollave do të merren masat për të pasur në punë stafin e nevojshëm, të angazhuar me provimet e sesionit të dytë të klasave të ndërmjetme, provimet e Maturës Shtetërore dhe provimet kombëtare të arsimit bazë, sesioni i dytë.
Për këtë qëllim drejtuesit e shkollave të zbatojnë grafikun e lejeve vjetore të miratuara, duke u mundësuar mësuesve që nuk kanë ezauruar lejen e zakonshme ta vijojnë atë dhe ndërkohë të marrin masat me pjesën tjetër të stafit për të pasur çdo gjë gati në 1 shtator, ditën kur fillon dhe mësimi plotësues në sistemim arsimor parauniversitar”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar në mesazhin që iu uron pushime të mbara mësuesve që vijojnë lejen dhe punë të mbarë atyre që rikthehen sot.