Gjatë mbledhjes me grupin e ri dhe të vjetër parlamentar kryeministri Rama është shprehur se ‘Ballkani i Hapur’ ka shkaktuar mosdakortësi me qeverinë e Kosovës duke marrë një rëndësi të pamerituar.
“Duhet një qasje dhe cilësi e re në marrëdhëniet me Kuvendin e Kosovës, duhet të jemi shumë më të pranishëm në Prishtinë për të diskutuar atje për të ndarë opinione në interes të dy shteteve dhe do i ftojmë shumë më tepër ata.Me qeverinë e Kosovës gjërat nuk shkojnë vaj dhe mosdakordësia për “Ballkanin e Hapur” ka marrë një peshë të pamerituar në këtë mes, por ne do të punojmë me përkushtim që me qeverinë e Kosovës të kemi marrëdhënie sa më vëllazërore duke u përkushtuar në ato punë dhe drejtime që na bashkojnë dhe duke trajtuar me durim mosdakordësinë për “Ballkanin e Hapur”.
Rama po ashtu tha se ‘Ballkani i Hapur’ është një zgjedhje e drejtë dhe një qasje kuptimplotë nga e cila Shqipëria dhe rajoni do të përfitojnë shumë.
“Ballkani i Hapur është një zgjedhje e qartë, e drejtë dhe kuptimplotë për të ardhmen e vendit dhe rajonit. Sa më shumë të ndërveprojmë, a më shumë të përfitojmë në një hapsirë të madhe në të gjitha nivelet aq më shumë do të forcohemi. Do të punojmë shumë fort dhe në çdo sektor për t’ju dhënë mundësi të gjithë aktorëve të ekonomisë sonë që të kenë hapsira shumë të mëdha dhe jam i bindur që do kemi rezultate që do flasin se pse Ballkani i Hapur na bën më të forte”- tha kryeministri Rama.