Greqia e Maqedonia zihen për Aleksandrin e Madh, por ç’thonë autoret e lashtë për të?
Shkruan: Marin MEMA
Të shkruash për Aleksandrin e Madh nuk është e lehtë, por as e vështirë. Nga njëri krah historia e tij është e turbullt, duke ngjallur edhe sot jo pak përplasje duke vënë përballë dy vende siç janë Greqia dhe shteti i vetëpagëzuar me emrin Maqedoni. Të dyja shtetet janë përfshirë prej kohësh në një përballje historiko – politike, teksa të vetmit që rrijnë mënjanë janë shqiptarët.
A thua vërtetë ky debat nuk na përket? Për shumicën e gjitha kjo çështje nuk ka lidhje me ne, por faktet tregojnë një tjetër realitet. Sigurisht këtu po flasim për të dhëna shkencore dhe aspak alternative, fantastike apo folklorike. Faktet mbeten fakte dhe ato duhen sjellë si një detyrim ndaj historisë dhe të vërtetave të saj.
Që ky prijës i madh identifikohej si Aleksandri i Maqedonisë kjo është e ditur, por përtej kësaj, autorë të shumë të lashtësisë kanë lënë pas detaje që ndihmojnë në zbardhjen e një historie gjithmonë pak të treguar e aq më pak të shpluhurosur në lidhje me rrënjët e tij. Siç përmendet në shumë vepra asnjëherë të kundërshtuara nga palët, Filipi i Dytë kishte nënë Euridikën, e cila vinte nga fisi ilir i Lynkestëve.
Që Lynkestët janë fis ilir kjo dëshmohet nga historianë e gjeografë të pafundëm. Thuajse të gjithë e kanë theksuar këtë fakt në veprat apo shkrimet e tyre të ndryshme siç janë historianët e lashtësisë Tit Livi e Straboni.
Nuk duhet lënë mënjanë edhe autori tjetër Plini, që rendit me detaje shumë prej këtyre fakteve në librin e katërt të koleksionit të gjatë prej 37 veprash nën emrin “Naturalis Historia”, “Historia e natyrës”. Po ashtu, edhe gjeografi Klaud Ptolemeu, që jetoi në Aleksandri, i rendit logjikisht Lynkestët në librin e tij “Geographia”, “Gjeografia”, mes fiseve ilire.
Aq e qartë është historia ilire e këtij fisi, sa autoritetet e FYROM u detyruan të ndërhyjnë në emrin e një prej siteve më të njohura të lashta që ndodhen në afërsi të Manastirit.
Dikur kjo qendër që sot vizitohet nga shumë turistë njihej si Heraclea Lynkestis, por pak vite më parë ky emër i dytë ju hoq, si mënyre për të fshehur identitetin Ilir të saj. Pra, Filipi i Dytë, babain e kishte maqedonas dhe nënën ilire. Ai u martua me Olimpinë, e cila ishte bijë e Neoptolemit, mbretit të fisit ilir të Molosëve të Epirit dhe e një nëne po ashtu ilire.
Sa i takon tezës greke, ajo është qartësuar nga Demosteni. Oratori i njohur grek e ka cilësuar në veprat e tij Filipin si një murtajë të ndyrë të Maqedonisë e që nuk ka asnjë lidhje me grekët. A thua të gjithë këta autorë të jenë ndikuar nga diçka tjetër e të kenë manipuluar historinë? Sigurisht që jo.
E vërteta e tyre, buçet edhe sot në zbardhjen e jetës së një prej figurave më të mëdha të historisë botërore. Pavarësisht se autoritetet tona flenë, ato të lashtësisë mesaduket nuk kanë bërë të njëjtën gjë.
Pra, përmes të dhënave që vijnë nga këta autorë kuptohet se Aleksandri kishte tre gjyshër ilirë dhe vetëm një maqedonas. Sigurisht flasim për maqedonasit e lashtë dhe jo të sotmit. Straboni, historian grek i lashtësisë, ngulmon se maqedonasit dhe ilirët flisnin gjuhë të ngjashme, kuptoheshin e kishin zakone të përbashkëta.Tarm, O. Hoffman, A. Jard, Geigand, O. Muller, P. Jougeut, H. Hirt, Edit Durham… etj. shprehin pikëpamjet e tyre se etnia dhe gjuha e maqedonasve të lashtë kanë qenë ilire dhe ilirishtja. Sigurisht, nuk mund të ketë qenë sllave sa kohë ajo ka ardhur shekuj më vonë.
Një tjetër element që lidhet me identitetin ilir të Aleksandrit vjen nga Curt Rufi. Në veprën e tij “Aleksandri i Madh”, e përbërë nga plot 10 libra, historiani romak shkruan: “Pastaj, duke pasur frikë për të ëmën dhe për vete, Aleksandri vajti te mbreti i Ilirisë dhe e la të ëmën në Epir, ku ishte mbret vëllai i saj”. Nga kjo kuptohet se familja e nënës së Aleksandrit ka pasur pushtetin për disa gjenerata në fisin e Molosëve dhe se vetë prijësi i madh ishte nip në këtë dinasti ilire.
Shkrimtari grek, Pausania, shkruan kështu në një nga veprat e tij:
Në Athinë gjendet portreti i Pirros. Ky nuk i ngjante fare Aleksandrit me të cilin ishte fis. Në të vërtetë, Pirro ishte biri i Aiakidit, të birit të Arrybës, dhe Aleksandri ishte djali i Olimpisë, së bijës së Naoptolemit”.
Pra, për ta thjeshtëzuar, Aleksandri i Madh dhe Pirro i Epirit vinin nga i njëjti fis, siç pohohet edhe nga Pausania.
Në përfundim, nëse Aleksandri nuk ishte grek, siç pohon Demosteni, por edhe shumë autorë të tjerë, kishte tre gjyshër ilirë e nga krahu tjetër vetë ilirët kuptoheshin nga ana gjuhësore me maqedonasit, çfarë ishte Aleksandri?
Sigurisht, në këtë shkrim nuk sollëm edhe të dhëna të tjera që vijnë përmes një analize të detajuar gjuhësore, si p.sh. prejardhja e emrit Olimbi, Aleksandër apo Meriamun, siç shkruhet në një mbishkrim të gjetur në Egjipt. Fakt është se Aleksandri qartazi ka rrënjë ilire, ashtu siç maqedonasit e lashtë janë një degëzim i tyre. E këtë nuk e themi ne, por faktet. Gjithkush mund të hulumtojë e të nxjerrë sërish këto pohime nga autorët antikë.