KultureLajme

Filmi ‘Virgjëresha shqiptare’ fiton dy çmime në Festivalin e Filmit në Varshavë

“Virgjëresha shqiptare” (The Albanian Virgin) u vlerësua me dy çmime në Festivalin e Filmit në Varshavë.

Regjisori Bujar Alimani bëri me dije se filmi mori Çmimin Special të Jurisë dhe çmimin “Ecumenical”, ky i fundit një çmim që ka për qëllim “të vlerësojë veprat me cilësi artistike që dëshmojnë fuqinë e filmit për të zbuluar thellësitë misterioze të qenieve njerëzore përmes çfarë i shqetëson ata, lëndimeve, dështimeve dhe shpresave të tyre”.


Me skenar të Katja Kittendorf dhe protagoniste aktoren Rina Krasniqin, “The Albanian Virgin” i bazon ngjarjet në vitin 1958 si kohë historike. Luana, vajza e një burri të respektuar në një fshat, bëhet shoqe me Agimin, djalin e një burri të dëbuar nga komunistët. Vite më vonë, shoqëria e tyre shndërrohet në një dashuri adoleshentësh, e cila kthehet në problem për familjen. Kjo e fundit e kishte “premtuar” Luanën për t’u martuar me djalin e një familjeje tjetër (Nik Xhelilaj), që në kohën kur ajo ishte fëmijë.

Protagonistja vendoset përballë dilemës: të arratiset me të dashurin dhe të rrezikojë të kapet, madje edhe të vritet, apo t’i bindet kanunit. Personazhi kupton se mjedisi ku jeton është një mallkim për gratë dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të bëhet një prej tyre – një burrë. Historia përshkruhet si “një ngjarje thellësisht njerëzore për lirinë, e cila është gjëja më e rëndësishme, edhe nëse çmimi që paguhet është vetmia”.

Pjesë e kastit janë Rina Krasniqi, Nik Xhelilaj, Kasem Hoxha, Alban Ukaj, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Jonida Vokshi, Mimoza Azemi, Shkurte Sulejmani, Viktor Zhusti, Lulzim Zeqja etj.

Për momentin, nuk është bërë me dije se kur mund të transmetohet filmi për publikun në Shqipëri dhe Kosovë.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button