Lajme

Nga tetori, punëtorët në Gjermani do të paguhen 12 euro për një orë pune

Rreth 6.2 milionë punëtorë në Gjermani do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale të miratuar nga ligjvënësit atje. Kjo rritje vjen si pasojë e rritjes së inflacionit në Gjermani.

Kancelari gjerman Olaf Scholz e bëri rritjen e pagës minimale një pikë kyçe në platformën e tij zgjedhore dhe, të premten, ligjvënësit e miratuan një projektligj që e rrit pagën minimale në 12 euro në orë duke filluar nga 1 tetori – një rritje prej 2,18 euro në orë.

Kjo rritje do të thotë 400 euro shtesë në muaj për njerëzit me të ardhura mujore prej 1700 eurosh, sipas ministrit të Punës Hubertus Heil.

Gjermania prezantoi një pagë minimale kombëtare në vitin 2015 me insistimin e socialdemokratëve të qendrës së majtë të Scholz, të cilët në atë kohë ishin partnerë të vegjël në qeverinë konservatore të ish-kancelares Angela Merkel.

“Shumë qytetarë të vendit tonë punojnë shumë, por fitojnë pak – kjo duhet të ndryshojë,” shkroi Scholz në një postim në Twitter kur kabineti i tij ra dakord për këtë rritje në muajin shkurt. “Për mua, ky ligj është një nga ligjet më të rëndësishme dhe një çështje respekti.”

A e kundërshtoi dikush ngritjen e pagës minimale?

Projektligji për rritjen e pagës minimale kaloi me një diferencë të gjerë me 400 pro, 41 kundër dhe 200 abstenime, kryesisht nga blloku opozitar i Unionit Kristian Demokrat dhe Unioni Kristian Social (CDU/CSU).

Politikanët nga CDU/CSU e qendrës së djathtë theksuan se nuk ishin kundër rritjes së pagës minimale, por mënyrës sesi e solli koalicioni i Scholz-it i socialdemokratëve, të gjelbërve dhe demokratëve të lirë neoliberalë. Partia e Majtë Socialiste iu bashkua treshes së partive të koalicionit qeveritar në votimin për miratimin e projektligjit.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button