Lajme

Qeveria gjermane vlerëson se ekonomia ruse po kolapson

Zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck, deklaroi se ekonomia e Rusisë po shpërbëhet dhe “koha po punon kundër Rusisë e kundër presidentit Vladimir Putin”. Këto komente, Habeck i bëri të enjten, në ditën kur u bë e ditur se Rusia i shkarkoi pesë gjeneralë të saj, pas mosarritjes së qëllimeve në invazionin ndaj Ukrainës.

Të ardhurat nga shitjet e energjisë në Evropë kanë luajtur rol të madh në financimin e luftës së Rusisë, e Habeck e pranoi se Rusia është ndihmuar nga “çmimet e larta të energjisë dhe nga paaftësia e Evropës për t’i ndaluar plotësisht blerjet”.

“Mund të turpërohemi që ende nuk ia kemi dalë ta reduktojmë këtë varësi ndaj Rusisë. Putini ende po merr para, por ai vështirë se mund t’i shpenzojë ato për shkak të sanksioneve perëndimore”, deklaroi Habeck, që njëkohësisht është ministër i Ekonomisë.

Sipas politikanit gjerman, ekonomia e Rusisë po shërbehet me rezerva dhe me produkte vetëm vendore.

“Putini ndoshta ende mund ta furnizojë ushtrinë me produkte vendase si naftë ose grurë, por nuk mund ta vazhdojë këtë gjatë. Nuk ka përditësime të sigurisë për avionët, tregtia me vendet neutrale apo proruse është gjithashtu në rënie të ndjeshme. Koha nuk po ecën për Rusinë. Ajo po punon kundër saj, kundër ekonomisë ruse. Askush nuk dëshiron të investojë më në Rusi”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i shkarkoi pesë gjeneralë dhe një kolonel policie për shkak të “procedurës standarde të riorganizimit të punonjësve”. Putini, siç raportoi “UsaToday”, i shkarkoi zyrtarët për shkak të rezultateve “të përziera” në luftën ndaj Ukrainës.

Në mesin e të shkarkuarve është gjenerallejtënant, Serhiy Kisel, udhëheqës i rusëve në qytetin verilindor të Kharkivit.

Që nga pushtimi rus, Rusia ka arritur fitore modeste në betejën e saj për kontrollin e rajonit lindor të Donbasit, me ç’rast nuk është arritur “blitzkrieg-u” rus ndaj Ukrainës. Rusia ka pasur telashe edhe me vrasjen e një numri të gjeneralëve në fushë të luftimeve.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button