Lajme

Serbia po na blen shtëpitë për të na larguar, thonë shqiptarët e Mitrovicës

Banorët shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës thonë se Serbia po i blen pronat e tyre me çmime të më të larta se vlera e tyre reale.

Ata thonë se dikur kjo lagje ishte e banuar me më shumë se 80 për qind shqiptarë, ndërsa tani kanë mbetur vetëm 10 për qind.

Sipas tyre, kjo është tentativë për asimilimin e shqiptarëve që jetojnë në këtë pjesë.

Fetije Pirqi, banore e kësaj lagjeje, nuk di se si të veprojë me shtëpinë e saj.

“Po, po shiten shtëpitë e shqiptarëve, veç kush s’po mundet, ndërsa ne po mbetemi këtu vetëm. Qeveria nuk po interesohet për neve, s’po dimë edhe ne që jetojmë këtu çfarë të bëjmë. Nuk e kam ndërmend ta shes shtëpinë njëherë, por çfarë bëhet më vonë nëse mbetem e fundit, edhe unë duhet ta shes, por tani për tani jo”, thotë ajo.

Tomor Bahtiri fajëson të gjitha qeveritë e deritashme që kanë lejuar një gjë të tillë, dhe thotë se nëse trendi i shitjes së shtëpive vazhdon kështu, në këtë lagje nuk do të mbetet asnjë shqiptar.

“Po, kohën e fundit kanë filluar të shiten shumë, sidomos këtu në Lagjen e Boshnjakëve. Është duke i blerë qeveria e Serbisë me të madhe, po vendos familje serbe të cilat nuk dihet prej nga po vijnë. Nëse vazhdon ky trend i shitjes kështu, për një kohë të shkurtër këtu për fat të keq nuk do të mbeten shqiptarë”, shprehte banori.

Emir Azemi, po ashtu banor i kësaj lagje dhe ish-zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës Veriore, thotë se pronat po blihen me prapavijë politike dhe etnike.

“Brenda këtij viti në këtë rrugë ku ndodhemi ose në Lagjen e Boshnjakëve janë shitur dy ose tre prona të shqiptarëve dhe blerësit janë serbë, përkatësisht organet paralele të Serbisë që veprojnë këtu sepse këta të cilët po vendosen këtu nuk janë blerës por pranues të shtëpive që dhurohen nga organi paralel, që lënë të kuptohet se këto prona blihen me prapavijë politike dhe etnike, thotë Azemi.

Në anën tjetër, Fevzi Beqiri, përfaqësues i Lagjes së boshnjakëve pranon se situata rreth shitjes së shtëpive në këtë lagje është shqetësuese.

“Mjerisht situata është shqetësuese, shtëpitë janë duke u shitur, disa fshehtë e disa hapur. Këto po i shiten qeverisë së Serbisë dhe jo individëve, pronarëve dhe jo qytetarëve serbë të Kosovës, por drejtpërdrejtë qeverisë së Serbisë”, thotë Beqiri.

Mitrovica Veriore është një nga komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Serbia dhe Kosova vazhdojnë të kenë konflikt të hapur për këtë zonë.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button