Dorëzohen aplikimet e Suedisë dhe Finlandës në NATO
Suedia dhe Finlanda kanë dorëzuar zyrtarisht aplikimin e tyre për t’u bashkuar me aleancën më të madhe ushtarake në botë, NATO.
Mikpritës dhe pranues i aplikimeve nga ambasadorët e dy vendeve pranë organizatës, ka qenë vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Si një çast historik, e ka përshkruar ai ngjarjen.
“Duhet ta kapim këtë moment”, shtoi ai, duke iu referuar faktit se siguria e vendeve anëtare do të rritej ndjeshëm me pranimin e Suedisë dhe Finlandës në aleancë.
Dy vendet, e kanë shprehur interesin për t’u bashkuar me grupimin e vendeve të Atlantikut të Veriut pas agresionit rus në Ukrainë, duke parë një rrezik të shtuar për sigurinë e tyre kombëtare.
Gjithsesi, një ngërç mund të haset për shkak të kundërshtimit të Turqisë për miratimin e aplikimit.
Nga ana e vendeve më të mëdha partnere, pretendohet se ky ngërç do të tejkalohet thjesht me bisedime. Por, çështja mund të jetë edhe më e ndërlikuar se sa mendohet.
Për shkak të fuqisë që vetoja i jep, Turqia mund të vendosë ta kthejë në politike gjithë situatën dhe të vendosë të bëjë kërkesa për të lëshuar pe në miratimin e rezolutës.
Një qëndrim i Rusisë dhe më veçanërisht presidentit rus, Vladimir Putin, ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas deklarimeve nga Helsinki dhe Stockholmi.
Por, Putini vetë, tha se nuk e shqetëson aspak hyrja e dy vendeve në organizatë.
Ajo çfarë e shqetëson realisht, është ngritja e bazave ushtarake në vendet nordike.
Por, këtë të fundit, të paktën Suedia, e ka refuzuar a priori, duke bërë me dije se nuk e ka një të tillë qëllim apo dëshirë.