Erdogani shantazhon Suedinë dhe Finlandën: I kërkon të shtypin PKK-në nëse duan anëtarësim në NATO
Turqia nuk ia ka mbyllur derën Suedisë dhe Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO, por dëshiron negociata me vendet nordike dhe një shtypje të atyre që i sheh si aktivitete terroriste veçanërisht në Stokholm, ka thënë një zëdhënës i presidentit Tayyip Erdogan të shtunën.
Ibrahim Kalin, i cili është gjithashtu këshilltari kryesor i presidentit për politikën e jashtme, i ka thënë Reutersit se Turqia do që të jetë e sigurt.
“Nuk po e mbyllim derën. Por thjesht po e ngremë këtë çështje si çështje të sigurisë kombëtare për Turqinë”, tha ai.
Erdogani i befasoi anëtarët e NATO-s dhe dy vendet nordike që kërkojnë anëtarësimin duke thënë të premten se nuk ishte e mundur që Turqia të mbështeste zgjerimin e aleancës, sepse Finlanda dhe Suedia ishin “shtëpia e shumë organizatave terroriste”.
Çdo shtet që kërkon të anëtarësohet në NATO ka nevojë për mbështetjen unanime të anëtarëve të aleancës ushtarake. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera anëtare janë përpjekur të sqarojnë pozicionin e Ankarasë.
Stokholmi pritet të ndjekë shembullin e Helsinkit dhe mund të aplikojë për hyrje në aleancën ushtarake prej 30 vendesh që nga e hëna.
Por, Kalin ka thënë se Partia militante e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) – e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po mblidhte fonde dhe rekrutonte në Evropë dhe prania e saj është “e fortë, e hapur dhe e njohur” në Suedi në veçanti.
“Ajo që duhet bërë është e qartë: ata duhet të ndalojnë së lejuari qendrat, aktivitetet, organizimet, individët dhe llojet e tjera të pranisë së PKK-së në ato vende. Anëtarësimi në NATO është gjithmonë një proces. Do të shohim se si do të shkojnë gjërat. Por kjo është pika e parë që ne duam të sjellim në vëmendjen e të gjithë aleatëve si dhe autoriteteve suedeze”, tha Kalin.