U jep “jetë” 20 milionë banorëve, liqeni është i mbushur me “vdekje”
Ai është një rezervuar që siguron ujë të pijshëm për më shumë se 20 milionë persona, nga Las Vegasi në Los Anxhelos. Por për shkak të kushteve atmosferike, rezervuari Liqeni Mead po thahet me shpejtësi.
Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është se nga tharja e ujit, në shtratin e liqenit kanë nisur të shfaqen eshtra të hedhura aty në periudha të ndryshme.
Mbetjet e fundit njerëzore u raportuan të shtunën, ndërkohë që më 1 maj aty u gjet një trup i pajetë i futur në një fuçi. Policia ka paralajmëruar se me shumë gjasa, brenda liqenit do të ketë edhe më shumë trupa të tjerë.
Niveli i rezervuarit ka ardhur duke rënë që prej vitit 2000, por situata është përkeqësuar më shumë në vitet e fundit.
Hetuesit thanë se trupi i gjetur javën e kaluar i përket një personi të vrarë me armë zjarri në vitet 1970 apo 1980. Hetuesi për vrasjet në policinë e Las Vegasit, Togeri Ray Spencer, tha për mediat lokale se koha ishte caktuar nga veshjet dhe modeli i këpucëve.
Liqeni Mead, i ndodhur në kufirin mes shteteve Nevada dhe Arizona, u krijua nga Diga “Hoover” në vitet 1930.