Cili është realiteti i kurseve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi?
Fjala e Valbona Mara (Ambasador Kombi) rrjedh lirshëm, me fakte e argumente të shumta. E vendosur mbi 20 vjet në qytetin verior të Kavalas, kur, si të gjithë emigrantët, u detyrua të braktisë jo vetëm atdheun, por edhe profesionin e adhuruar e të shenjtë të mësueses, është një njohëse e rrallë e me detaje të ecurisë së çdo nisme për përfaqësim e integrim në shoqërinë vendase.
Duke njohur në thelb të gjitha aspektet e jetesës emigrante në zonën veriore të Greqisë, si dhe me eksperiencën e gjatë në organizatat shqiptare emigrante, shoqatat kulturore, me kontribut vërtet të shquar në realizimin e mësimdhënies të gjuhës amtare, fjala e Valbona Mara ka peshë të rëndë.
Mënyra se si përshkruan realitetin, kujton të kaluarën e përmend sfidat e të ardhmes përbën qasjen e duhur për të konceptuar të sotmen e parashtruar të ardhmen, në dimensionet e duhura.
Në Greqi erdhi pas thuajse një dekade mësimdhënie në Shqipëri, e megjithë vështirësitë e fillimit, asnjëherë nuk u izolua nga bashkatdhetarët, apo mbylli sytë ndaj kërkesës së domosdoshme për identifikimin e saktë e jo të krijuar për shqiptarët nga faktorë të ndryshëm, ato vite madje, tepër provokues.
Në këtë kuadër, Valbona Mara dallon në çdo nismë, gjithmonë në profilin e saj, mësuese e gjuhës shqipe, por që në fakt luan dhe rolin e aktivistes që mbulon edhe aspekte të tjera, në shërbim të një komuniteti sa më të organizuar.
Valbona Mara, aktiviste e kudopranishme, Ambasadore e Kombit, Nënkryetare e Lidhjes së Mësuesve Vullnetarë Shqiptarë në Greqi, mësuese e afirmuar, një ish-emigrante tashmë e integruar plotësisht në shoqërinë greke. Sa pengesa kishte rrugëtimi për shkollën e shqipes në Kavala?
Kursi i gjuhës shqipe ne qytetin tone është hapur me shume pengesa dhe vështirësi me 23 Mars 2013, nga Shoqata e Shqiptareve ne Kavala. Me statutin dhe mbështetjen e shoqatës, por duke këmbëngulur dhe unë vete, si kopetente për çështjen e mësimit te shqipes, kam trokitur te gjitha dyert derisa arrita te marr lejen nga Bashkia e Kavala dhe Pangieos dhe kam arritur kështu te jap mësim në shkollat publike të dy bashkive. Realiteti nuk është gjithnjë i lehte, probleme ka here pas here, por le te themi se kemi patur një bashkëpunim të mirë me autoritetet e pushtetit lokal te Greqisë.
Cili ishte numri i nxënësve që frekuentonin kurset e gjuhës shqipe dhe si e realizonit mësimin atëherë, në përgjithësi cilat janë veçantitë e këtij funksionimi?
Fillimisht, kishim një numër tepër të lartë kërkesash për mësimin e gjuhës shqipe. Ne vitet e para numri i nxënësve në rrethin e Kavalles ka filluar me 120, një interesim jashtëzakonisht të lartë. Ndërsa tani, vitet e fundit ka një rënie prej 50%. Kjo ka ndodhur për te gjitha arsyet qe përmenda më lart, nga njëra anë vështirësite në negociatat me autoritetet vendase, insiativat që duhen marre vazhdimisht për të përforcuar rolin e pozicionin tone.
Nga ana tjetër, duhet te përmend edhe faktin që vitet e fundit është bërë një punë e mirë nga Qendra Botuese e Diaspores dhe janë marrë librat dhe materialet jashtëshkollore në kohën e duhur, mëse të mjaftueshëm për të përballuar fluksin mësimor. Personalisht shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin.
Jo vetëm në Kavala, po kudo vitet e fundit konstatohet ulje e ndjeshme e interesit të familjes emigrante për mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët. Them të familjes, sepse fëmijët orientohen nga prindërit apo kujdestarët. Cilët janë faktorët që ndikojnë dhe çfarë do të sugjeronit për të ndryshuar këtë klimë të përgjithshme?
Përsa i përket realitetit të kurseve të mësimit të gjuhës shqipe në Kavala dhe në përgjithësi në Greqi ka një rënie të ndjeshme dhe për këtë janë shumë faktorë. Në radhë të parë kriza 10 – vjeçare që ka pushtuar Greqinë dhe se dyti mungesa e certifikimit të gjuhës shqipe për nxënësit. Situata aktuale për shkak të pandemisë ka rënduar akoma më shumë mundësinë për mësimdhënien e gjuhës shqipe. Megjithatë, ne rastin tim konkret vijoj normalisht mësimin e gjuhës shqipe on line, megjithë vështirësite që ka. Kështu që mendoj se nëse ka vullnet e dëshire, ka dhe zgjidhje për çdo pengese.
Cili është mesazhi juaj për prindërit shqiptarë, emigrantë në Greqi? Si dhe cili do të ishte për organe kompetente për Diasporën në qeverinë shqiptare?
Një mesazh për prindërit dhe nxënësit shqiptare në Greqi e Diasporë: Te mësojmë gjuhen e të parëve tanë, të ruajmë kulturën, dinjitetin dhe krenarinë tonë.
Ndërsa ne konceptin e gjere te mësimdhënies, mendoj se nëse nuk realizohet se shpejti një marrëveshje ndërmjet dy shteteve, e shoh shume të vështirë vazhdimësinë e mësimeve vullnetare të gjuhës shqipe në Greqi. Megjithë mungesën e një marrëveshjeje, ne si mësimdhënës dhe si Lidhje e Mësuesve Shqiptare ne Greqi përpiqemi me të gjitha mundësitë që kemi për sensibilizimin e familjeve dhe ruajtjen e interesit tek fëmijët për gjuhën amë. Por nuk mjafton! Çfarë do duhej me tepër është vëmendja dhe përkushtimi i shtetit amë, sidomos në procedura burokratike dhe marrëveshjet me organet kompetente të vendit për sigurinë e ambienteve dhe mbarëvajtjen e mësimeve.