Superjahti 700 milionë dollarësh i Putinit po “arratisej”, konfiskohet nga qeveria italiane
Qeveria italiane ka urdhëruar konfiskimin e superjahtit luksoz Schereazade, me vlerë 700 milionë dollarë. Sipas raportimeve të ndryshme, mjeti lundrues i përket vetë presidentit rus, Vladimir Putin.
Jahti me 6 kuverta qëndron në Itali prej muajit shtator të vitit të kaluar, në qytetin port Marina di Carrara, ku po i nënshtrohet riparimeve. Por sipas autoriteteve italiane, veprimet e ditëve të fundit kanë lënë të kuptohet se jahti po përgatitej për të dalë në det.
Sipas Reuters, pas disa javësh hetime, policia tha se besonte që pronari i jahtit ishte Eduard Khudainatov, ish-shefi i kompanisë energjetike ruse, Rosneft, e cila momentalisht është nën sanksione nga ana e Bashkimit Europian. Në deklaratën ku shpallte urdhrin e konfiskimit, Ministria italiane e Financave nuk përmendte me emër pronarin, por thoshte vetëm se jahti kishte lidhje me elementë të rëndësishëm të qeverisë ruse. Policia e ekzekutoi urdhrin e konfiskimit të premten në mbrëmje, kur edhe u ngjit në bord.
Sipas “Daily Mail”, shumica e ekuipazhit në jaht janë rusë, por në muajin mars, disa javë pas nisjes së luftës në Ukrainë, ata ishin zëvendësuar me shtetas britanike.
Organizata opozitare e drejtuar nga Alexei Navalny ka publikuar dokumente sipas të cilave të gjithë rusët në bord ishin anëtarë të shërbimit sekret dhe kishin si detyrë të mbronin presidentin. I vetmi që nuk ishte agjent, sipas tyre, ishte kapiteni i anijes, britaniku Guy Bennett-Pearce. Ai vetë ka mohuar që pronari i superjahtit të jetë Putin, por nuk ka pranuar të zbulojë identitetin e vërtetë të tij.
Jahti konsiderohet si mjeti lundrues privat më i shtrenjtë në botë. Ai është mbi 137 metra i gjatë dhe ka brenda tij 2 pista për uljen e helikopterëve, pishina dhe qendër spa. Në jaht ka vend për 18 persona, të ndarë në 9 kabina luksoze.