Lajme

“Largoni ambasadorin!” Berisha kërkon ndërprerje te marrëdhënieve diplomatike me Rusinë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat pas përfundimit të seancës plenare gjatë së cilës foli presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera Berisha kërkoi ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me Rusinë. Ai kërkoi që ambasadori rus në Shqipëri të largohet, ndërsa ai shqiptar të tërhiqet nga Moska.

Po ashtu, lideri historik i demokratëve tha se ai që e ka turpëruar vendin sot është qëndrimi i kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit sipas Berishës, së pari e turpëroi vendin duke hapur vendin për turistët rusë dhe së dyti duke vijuar me projektin “Ballkani i Hapur” që Berisha e ka cilësuar prej kohësh tashmë si një iniciativë që i hap rrugë influencës ruse në rajon.

“Qëndresa e kombit ukrainas është një frymëzim i madh për të gjithë ata që e duan lirinë dhe besojnë te vlerat e saj. Që në ditët e para të agresionit kemi ngritur zërin tonë në këtë parlament për ndihma konkrete të gjithanshme ndaj këtij kombi. Shqipëria është e rreshtuar në anën e NATO-s, OKB ka dhënë ndihmesën e vet. Ajo që na turpëroi sot është qëndrimi i dyzyar i Edi Ramës gjatë këtyre muajve të këtij agresioni barbar. Në njërën anë votohej për dënimin e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, nga ana tjetër promovohet ideja ruso-serbe e Ballkanit të Hapur që i hap rrugë hegjemonisë serbe, influencës ruse në rajon. Shpallja e ftesës së Edi Ramës për turistët rusë në Shqipëri. Imagjinoni, vrasës, përdhunues…pasi kryejnë masakra të vinë e të dynden në plazhet tona për të marrë veten. Kjo ishte fyerje e rëndë për Shqipërinë.”

Berisha kërkoi po ashtu anulim të vizave për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri.

Kujtojmë se në fjalën e tij para parlamentit shqiptar, Volodymyr Zelenskyy kërkoi masa konkrete kundër Rusisë, si mbyllje të porteve për anijet ruse, ndalim i turistëve rus apo edhe kufizimin e tregtisë me vendin pushtues.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button