Ka ardhur koha, Kosova pjesë e BE-së dhe NATO-s
Ҫështja e njohjeve për shtetin e Kosovës ka ngecur tashmë disa vite. Ka kohë që nuk ka ndodhur që një shtet i ri ta ketë njohur Kosovën. Janë bërë sipas informacionit zyrtar gjithsej 117 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por disa shtete e kanë deklaruar ç’njohjen e Kosovës, edhe pse kjo nuk është praktikë në marrëdhëniet
ndërkombëtare. Njohja e fundit ishte nga shteti i fuqishëm i Izraelit, me 1 shkurt të këtij viti.
Ngërçi i njohjeve ka ndodhur kryesisht për shkak të diplomacisë së Serbisë e mbështetur nga aleat të saj, si Rusia, duke propaganduar se Kosova nuk mund të jetë një shtet i pavarur dhe se Serbia ndodhet në bisedime me Kosovën. Po ashtu Kosova me marrëveshjen e nënshkruar vitin e kaluar në Uashington nga ish kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë Vuçiq, në prani të presidentit amerikan Tramp, ku veç tjerash Kosova dakordohej për të pezulluar për një vit kërkesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. “Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njërën nga pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit.
Por, me zgjedhjen e presidentit të ri Joe Biden, duket se administrata amerikane filloi rikthimin e vëmendjes për Kosovën, një shtet që u krijua dhe gëzon paqen kryesisht për shkak të ndihmës së SHBA-ve.
Në muajin shkurt, Presidenti amerikan, Joe Biden kishte kërkuar njohjen për Kosovën nga shteti serb. Biden i kishte dërguar një letër Presidentit serb, Aleksandër Vuҫiq duke i kërkuar edhe njohjen e shtetit të Kosovës.
“Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhej në këtë letër.
Megjithatë, Vuҫiq është kundër njohjes së Kosovës.
Ndërkaq tani, një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim e ka marrë sërish SHBA-ja me Presidentin e saj, Joe Biden, i cili ka emëruar një ambasador për Kosovën që do të merret saktësisht me këtë çështje.
Jeffrey M. Hovenier, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Kosovë, ka thënë se ai do të punojë për të çuar përpara mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për një Kosovë sovrane dhe demokratike.
Një përparësi tjetër në punën e tij, tha ai, do të jetë mbështetja e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e
marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Që të citoj presidentin Biden, kjo duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Normalizimi është thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe do të hapë rrugën për integrimin e të dy vendeve në institucionet euro-atlantike dhe evropiane”, ka thënë ai.
Ai ka thënë po ashtu se do të ishte inkurajimi i atyre vendeve anëtare të BE -së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të mendojnë seriozisht për implikimet e këtij veprimi, gjë që do të ishte gjithashtu pjesë e diplomacisë sonë.
“Dhe diçka që doja të shtoja, do të ishte inkurajimi i atyre vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën që të mendojnë seriozisht për implikimet e këtij veprimi, gjë që do të ishte gjithashtu pjesë e diplomacisë sonë”, ka thënë ai.
Bytyҫi: Nëse Uashingtoni e merr përsipër këtë mision, gjithçka merr fund dhe Kosova bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s
Duke u bazuar në këto deklarata nga përfaqësuesi amerikan, profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyҫi thotë: “është një lajm i mrekullueshëm që ambasadori amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të angazhohen që pesë shtetet e BE-së ta njohin shtetin e Kosovës”.
“Jam i bindur se nëse Uashingtoni e merr përsipër këtë mision, gjithçka merr fund dhe Kosova bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s. Por, njohja e këtyre vendeve më së pari e bën Kosovën anëtare të Aleancës Atlantike, sepse katër nga këto pesë vende janë anëtare të NATO-s. Janë Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qipro vendet anëtare të BE-së, të cilat prej më shumë se 13 vitesh nuk e njohin shtetin e Kosovës. Disa prej këtyre vendeve e njohin pasaportën dhe dokumentet e tjera deri te targat e shtetit të Kosovës, por nuk kanë marrë ende vendimin për njohje shtetërore. Arsyet që këto vende kanë proklamuar janë të ndryshme, por edhe të njëjta”, vlerëson ai.
Bytyҫi ka përmendur edhe mundësitë që këto pesë shtete ta njohin shtetin e Kosovës, duke thënë se qëndrimet e tyre kohët e fundit kanë ndryshuar, derisa Greqia është më afër njohjes së Kosovës.
“Greqia më duket se është më afër njohjes së Kosovës. Edhe Rumania ka shumë mundësi të pranojë kthesën në vendimin absurd për mosnjohje. Spanja ka qenë vendi më këmbëngulës në refuzimin e shtetit të Kosovës, por muajt e javët e fundit ka dhënë shenja pozitive të një kthese në qëndrimin e saj. Megjithëse mendoj se është larg një vendimi përfundimtar. Sllovakia është atdheu i ndërmjetësit për bisedime midis Kosovës dhe Serbisë dhe kjo e bën të komplikuar qëndrimin e saj. Mund të marrë për mbarë, nëse politikanët e Bratislavës do të donin ta ndihmonin zotin Lajҫak. Por, mundet që mosnjohjen ta përdorin edhe si presion ndaj Kosovës me qëllim që qeveria e saj të pranojë opsionet e Lajҫak në raport me bisedimet që zhvillohen”, vlerëson profesor Bytyҫi.
Ai thotë tutje se, nëse Bashkimi Europian dëshiron të vendosë paqen dhe stabilitetin në rajon, nëse europianët nuk duan një konflikt të ri në rajonin e Europës Juglindore, atëherë Brukseli, Berlini, Parisi dhe kryeqytete të tjera duhet të shtojnë presionin ndaj pesë vendeve anëtare të saj për ta pranuar tashmë Kosovën. Pra, duhet t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ambasadori amerikan që vjen rishtazi në Kosovë nuk mund të bëjë asgjë i vetëm. Unë besoj shumë se lobimi i tij do të jetë më së pari në administratën dhe diplomacinë amerikane e pastaj mund të punojë drejtpërdrejt për njohjet e shtetit të Kosovës. Unë nuk e di se si do të pritej ambasadori amerikan në Kosovë në Athinë, Nikozi, Madrid, Bukuresht e Bratislavë. Vetëm nëse merr një mandat nga presidenti Biden për ta përfaqësuar shtetin amerikan në këtë ndërmarrje”, thotë ai.
Megjithatë, ai thotë se nuk duhet të jemi skeptikë, pasi vizitat e ambasadorëve amerikanë në Beograd, Podgoricë dhe Sarajevë kanë krijuar një rrjetë të veprimit të diplomatëve që janë shpresa kryesore e garancia që në rajonin tonë të ketë stabilitet, paqe dhe siguri.
“Por nuk duhet të jemi skeptikë. Ardhja e Cristopher Hill në Beograd dhe ambasadorëve amerikanë të rinj në Podgoricë e Sarajevë krijon rrjetin e duhur të veprimit midis këtyre diplomatëve dhe ambasadorit që vjen në Kosovë. Ky rrjet diplomatësh të njëkohshëm dhe njohës shumë të mirë të zhvillimeve në Ballkan është shpresa kryesore e garancia që në rajonin tonë të ketë stabilitet, paqe dhe siguri. Kjo është një garanci shtesë se udhëheqësit e çmendur të rajonit tonë nuk do të mund të luajnë me kufij, territore dhe krijimin e shteteve serbe brenda shteteve të tjera të rajonit”, thotë profesor Bytyҫi.
Sipas tij, njohja e këtyre 5 vendeve është zgjidhja më optimale për Kosovën. Kjo njohje i jep fund provokimeve serbe ndaj integritetit e sovranitetit të Kosovës. Ky aksion politik i SHBA-ve do ta bëjë vetë Serbinë dhe udhëheqjen e saj të vetëdijshme se nuk ka asnjë alternativë tjetër, veç pranimit të shtetësisë së Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
“Do ta bëjë atë që të heqë dorë vullnetarisht nga destruktivizmi politik e social në rajon. Nëse Beogradi do të shohë forcën dhe presionin maksimal të Uashingtonit dhe Europës në veprim kundër tij dhe politikave destabilizuese që ndjek, atëherë do të ndryshojë menjëherë rrugë. Madje do të thotë se “Kurrë nuk ka qenë kundër Kosovës dhe shteteve të tjera në rajon”! Nuk ka alternativë tjetër Serbia, veç integrimeve europiane, e madje në një kohë të caktuar mund të heqë dorë edhe nga asnjanësia në kuptimin ushtarak e strategjik e t’i bashkohet NATO-s. Sepse një Serbi e rrethuar nga vende anëtare të BE-së e të NATO-s nuk mund ta ruajë pa limit aleancën gjeostrategjike me Rusinë dhe aktorë të tjerë të Lindjes”, thekson ai.
Tutje, ai thotë se ‘është me shumë rëndësi angazhimi amerikan për njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të BE-së e të NATO-s, të cilat ende hezitojnë ta bëjnë këtë! Momenti ka ardhur. Koha është ajo që jep zgjidhjet më të mira. Koha ka ardhur’.
Duhanaj: Njohja e shtetit të Kosovës, kryesisht nga shtetet të cilat janë nën ndikimin e shteteve të QUINT-it
Njohësi tjetër i ҫështjeve politike, Leon Duhanaj thotë për ‘Bota sot’ se, njohja e shtetit të Kosovës, ka ndodhur kryesisht nga shtetet të cilat kanë qenë nën ndikimin e shteteve të QUINT-it, përkatësisht SHBA-së.
“Diplomacia kosovare, në anën tjetër në fillim kishte nevojë për kohë dhe konsolidim, pastaj në masë të madhe dështuam të përzgjedhim njerëzit më të mirë për këtë punë. Dhe me vonë filloj degradimi edhe më i madh. Duhet theksuar se Kosova diplomatin e fundit e pat Enver Hoxhajn, gjithçka erdhi pas tij ishte thjeshtë dështim”, vlerëson ai.
Duhanaj thotë tutje se, krerët institucional të vetmen mundësi për vizita bilaterale e kanë me vendet me demokraci të ngjashme si dhe në takime multilaterale, madje edhe në këto kanë filluar të injorohen, shih samitin e fundit të ftuar nga Presidenti amerikan e që Kosova mbeti e paftuar.
“Me pesëshen evropiane Kosova as që është marrë ndonjëherë seriozisht. Në anën tjetër disa nga vendet, presin epilogun e dialogut me Serbinë dhe tek pastaj për të marrin vendime. SHBA, mundet dhe duhet të involvohet drejtpërdrejtë në proces, qoftë të dialogut, qoftë të njohjeve, përndryshe Kosova nuk lëviz përpara”, vlerëson Duhanaj.