Edi Rama: S’dua të hyj në polemika me Kurtin, por qasja e Kosovës nuk çon askund
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë sot se qasja e Kosovës nuk çon askund. Kjo deklaratë e Ramës erdhi pasi pala kosovare nuk mori pjesë në takimin e nismës “Ballkani i hapur”. Në një intervistë për “News24”, Rama tha se Kurti ka një qasje ndryshe lidhur me këtë nismë, teksa shtoi se janë duke kontribuar për zgjedhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj që ka nga ana e Kosovës ose më saktë e politikbërësve dhe vendimmarrësve në Kosovë një qasje e cila është thellësisht e ndryshme. Është e drejta e tyre që të diskutohet, por nga ana tjetër unë kam bindjen që kjo nisëm është vetëm një domosdoshmëri, por është edhe një qasje në funksion të çlirimit të shumë potenciale të mbyllura të këtij rajoni dhe të lehtësimit dhe dialogut të lehtësimit të rrugës së zgjedhjes përfundimtare të çështjes së Kosovë, poashtu”, ka thënë Rama.
Më tutje, kryeministri shqiptar deklaroi se qasja e Kurtit nuk e çon Kosovën askund.
“Nuk dua të hyjë në polemika me Albinin. Albini ka vizionin e vet. Unë dua më të mirën për Kosovën dhe prandaj nuk mund të rri pa e thënë që çështje e derisotshme është e një qasje e destinuar të dështojë dhe një qasje që nuk e çon Kosovën asgjëkund. Përkundrazi prej disa vitesh e ka kthyer Kosovën nga një forcë shumë pozitive dhe nga një partner shumë i besueshëm dhe i dëshiruar i aleatëve të shqiptarëve. Kjo nuk është gjë pozitive”, deklaroi ai.