Kongresistët kërkojnë nga Bideni të marrë sanksione, e akuzojnë Vuçiqin për korrupsion
Një grup kongresistësh amerikanë i kanë kërkuar presidentit, Joe Biden, të konsiderojë vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, teksa kanë akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për korrupsion e presion ndaj mediave.
Në një letër drejtuar Bidenit, ata janë shprehur të shqetësuar për situatën politike në Serbi dhe ndikimin që një situatë e tillë mund ta ketë edhe në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.
“Siç e thatë gjatë vizitës suaj në Beograd në gushtin e vitit 2016, ‘në radhë të parë është në interes të vetë SHBA-së që populli i Serbisë të zhvillohet dhe përparojë’. Rrjedhimisht do të dëshironim të inkurajojmë administratën tuaj që të kërkojë angazhim nga presidenti Vuçiq në luftën ndaj korrupsionit dhe sulmeve ndaj lirisë së shtypit, dy fusha kritike për Serbi demokratike dhe për aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në dokumentin, për të cilin ka raportuar “Vijesti”.
Kongresistët kanë kërkuar nga Bideni të konsiderojë përdorimin e një Urdhri Ekzekutiv për të bllokuar hyrjen në SHBA të njerëzve që kontribuojnë në destabilizmin e situatës në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të arrihet një qeveri më transparente dhe e përgjegjshme në Serbi. Ata kanë theksuar se liria e medias për Washingtonin duhet të jetë e rëndësishme edhe në kuadër të politikës së jashtme për të kundërshtuar autoritarizmin kudo në botë. Letra është nënshkruar nga kongresistët Raja Krishnamoorthi, Ritchie Torres, David N. Cicilline, Jan Schakowsky, James P. McGovern dhe Mike Quigley.
Ata kanë theksuar në letër edhe përkrahjen që kanë marrë televizionit dhe mediumet të cilat e kanë përkrahur pushtetin e Aleksandar Vuçiqit.
Duke kërkuar që Bideni të kërkojë angazhim nga Qeveria e Serbisë për çrrënjosje të korrupsionit, kongresistët kanë thënë se duhet të mbajë Serbinë përgjegjëse e të ndërmarrë veprime diplomatike në mënyrë që Serbia të jetë më efikase në zbatim të reformave demokratike “ashtu që t’i avanconte raportet me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën”.
Këta kongresistë janë anëtarë të Komisionit të Inteligjencës ose Politikës së Jashtme. Letra i paraprin vizitës që do ta bëjë në rajon i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar. Edhe vetë Escobari përmendi sanksione një ditë më parë, por pa dhënë detaje tjera, pas tensioneve të fundit në rajon.