Dita e fundit si mësuese/ Historia e Marijes, për 40 vite mësoi breza të tërë me nxënës
Kjo e premte ishte dita e fundit e punës për mësuese Marijen.
Rrugëtimi i saj 40 vjeçar në arsim përfundoi me një surprizë plot emocione nga nxënësit dhe stafi i shkollës Vëllazërimi.
“Unë jam mësuese Marije Ndokaj. Babi im ka qenë mësues i popullit dhe donte që të vazhdonte rrugëtimin e tij dhe një prej fëmijëve e më vuri gishtin mua.
Por edhe unë kam lënë pasardhës. Ky profesion është i artë. E kam të vështirë të ndahem nga fëmijët”, tha ajo.
Ndarjen me mësuese Marijen e përjetojnë edhe më shumë të vegjlit e klasës së dytë kujdestare. Mësuesja e tyre e parë po del në pension.
“Ti për ne je prind i dytë. Nuk do të të harrojmë kurrë”.
Për të gjithë kontributin të dhënë ndër vite në edukim, mësuese Marije u nderua me certifikatën e mirënjohjes edhe nga zyra Vendore Arsimore e Kamzës.