Lajme

Kosova, portë e hapur për diplomacinë ruse

Në 16 vjetët e fundit Rusia ka pasur një prezencë të madhe diplomatike në Kosovë.

Hulumtuesit thonë se nga viti 2005 kur u hap Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, dhjetëra diplomatë rus kanë qenë me mision në Prishtinë.

Lulzim Peci, ish-diplomat kosovar, tani drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), thotë se Zyra Ruse kohëve të fundit ka qenë ndër misionet më të mëdha diplomatike në Kosovë.

“Me sa di unë, në këtë zyre mbi dhjetë diplomatë kanë qenë në kohën e fundit që për numrin e diplomatëve, ndoshta pas SHBA-së, ndoshta ka qenë një mision me më së shumti diplomatë”, thotë Peci.

Kur u hap Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë?

Rusia formalizoi praninë e saj diplomatike në Kosovë në vitin 2005, kur asokohe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, mori pjesë në hapjen solemne të kësaj zyre në Prishtinë.

Asokohe Kosova administrohej nga Administrata e Kombeve të Bashkuara dhe kryeadministrator ishte Soren Jessen-Petersen, i cili së bashku me kryeministrin Bajram Kosumi morën pjesë në ceremoninë e hapjes së zyrës ruse.

Pjesëmarrja e Kosumit në këtë aktivitet, të paktën publikisht, njihet si vizita e vetme e një zyrtari të Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.

Në këto 16 vjet, sa funksionon Zyra Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë, ka ushtruar aktivitete kryesisht të heshtura.

Edhe pse viteve të fundit, sipas organizatave të shoqërisë civile, ka pasur deri mbi dhjetë diplomatë, veprimtaria e kësaj zyre është shfaqur fare pak në publik.

Krejt çfarë gjendet në internet për aktivitetet e saj janë fotografi të takimeve me zyrtarë të misioneve ndërkombëtare si EULEX-i dhe UNMIK-u.

Vëmendja te Zyra Ndërlidhëse Ruse u kthye më 22 tetor kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi për shpalljen persona “non-grata” të dy diplomatëve rus që punonin për këtë zyre.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button