Lajme

Ministri boshnjak: Do të lidhemi me hekurudhë me Shqipërinë

“Shqipëria, Mali i zi dhe Bosnjë-Hercegovina duhet të lidhen shumë shpejt me një sistem hekurudhor”. Kështu raportohet të ketë thënë ministri i Transportit dhe Komunikimit në Bosnjë-Hercegovinë, Vojin Mitrovic, gjatë një vizite në Malin e Zi.

“Një prej temave të diskutimit në takim ishte edhe çështja e lidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, fillimisht përmes rrugëve, e më pas përmes hekurudhave”, citohet Mitrovic nga “Sarajevo Times”.

Ai theksoi se objektivi i autostradës adriatiko-joniane është që të lidhë Italinë me rrugë tokësore me Ballkanin, përmes Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë e deri në Greqi. I pyetur kur do të niste realizimi i këtij projekti, Mitrovic tha se negociatat kanë nisur, por po zgjasin shumë. “Një prej problemeve është përcaktimi se ku do të kalojë rruga, e cila do të ketë nevojë për marrëveshje ndërshtetërore”, tha Mitrovic.

Në shtator, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha në Samitin Hekurudhor të Beogradit se Shqipëria do të lidhej me Malin e Zi, përmes linjës hekurudhore, por për zbatimin e projekteve nevojiteshin kapacitete shtesë.

Më 19 tetor, Shqipëria nënshkroi me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut një memorandum për projektin e Korridorit 8, të vlerësuar si një ndër projektet më të rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button