LajmeTurizem

Parku Kombëtar i Thethit tërhoqi mbi 78 mijë turistë në janar-shtator

Parku Kombëtar i Thethit, i ndodhur 70 km larg Shkodrës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha tha për ATSH-në se “nga muaji janar deri në fund të shtatorit ky park u vizitua nga 78 600 turistë vendas e të huaj”.

“Gjatë muajit shtator ky park u vizitua nga 10 460 turistë vendas e të huaj, ndërsa 1 mijë vizituan Qendrën e Vizitorëve të ngritur në këtë park”, tha Dardha, duke shtuar se Qendra e Informacionit vijon të jetë e hapur çdo ditë të javës.

Parku Kombëtar Theth vijon të jetë zgjedhja më e mirë këto ditë vjeshte e turistëve vendas e të huaj. Pikat kryesore që turistët vizitojnë në Theth janë Monumenti e Natyrës si Syri Kaltër, vaskat në Ndërlysa. Ujëvara e Grunasit, kanioni i Grunasit, shtegu Theth-Valbonë, shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna etj.

Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button