Jetesa e shqiptarëve në mesjetë, e njëjtë si në çdo vend tjetër të Evropës
Shkruan: Andreas DUSHI
Jeta mesjetare në Arbëri ishte e njëjtë me jetën mesjetare në çdo vend tjetër të Evropës, jo nga shkalla e ritmit të zhvillimit, por nga ana administrative, urbanistike dhe shpirtërore, besoj se nuk mbetej pas. Ndoshta nga ndonjë pakujdesi mund t’i bëj ndonjë arsyetim subjektiv fakteve objektive, prandaj që në fillim, ju kërkoj mirëkuptim. Në fund të fundit, në shkencë rëndësi ka fakti dhe arsyetimi që të çon drejt tij, e jo arsyetimi që vjen pas tij.
Në Arbërinë e shekujve XI-XIV ekzistonte një fedualizëm në kuptimin e parë të tij, ku feudi kishte një pushtet juridik mbi mosmarrëveshjet që ndodhnin brenda zotërimeve të tij, si dhe një pozitë politike, me anë të së cilës fuqizuan pushtetin e tyre në zotërimet që kishin, duke i lënë pas dore edhe pagesat e taksave Perandorisë.
Sipas “Fjalorit historik të Oksfordit” feudalizmi ishte një rrymë politike, që u lëvrua nga shekulli XI-XV dhe pikërisht brenda kësaj periudhe u bë pjesë edhe feudalizmi arbëror. Kjo është një pikëbashkim mes shoqërisë arbërore dhe shoqërisë evropiane.
Te libri “Historia e shqiptarëve 12 (me zgjedhje të detyruar)” botuar nga “Botime shkollore Albas” shfaqet “Plani i një qyteti mesjetar” ku thuhet se një strukturë të njëjtë kishin edhe qytetet arbërore si Kotorri, Tivari, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi, Berati, Kanina etj., çfarë do të thotë se edhe në urbanistikë, qytetet shqiptare ishin të njëjtë me qytetet e të tjera të Evropës.
Në shekullin V, daton në Romë ndërtimi i Kishës së Shën Stefanit. Ndërkohë, edhe në Shkodër u ndërtua, pak kohë më vonë, Kisha e Shën Shtjefnit. Sipas traditës së ndryshimit të emrave nga një vend në tjetër (Piter në Pjetër, Paulo në Palë, Andreu në Andrea apo edhe Krist në Krisht) ndryshon edhe emri i Shën Stefanit që ishte martiri i parë i krishtërimit në Shën Shtjefën, i cili është edhe pajtori i famullisë së Shkodrës. Pra një ndër kishat më të vjetra në Shqipëri, ka emër të njëjtë me një ndër kishat më të vjetra në Romë.
Nga faktet që lartpërmenda, shihet se shoqëria mesjetare e arbëve, është e njëjtë me atë të shoqërive mesjetare evropiane, ndonëse ka ardhur gjithnjë disa shekuj më me vonesë. Për këtë arsye, për të kuptuar shoqërinë mesjetare arbërore, fillimisht duhet që të kuptojmë jetën mesjetare të të gjithë vendeve evropiane.
Për të përkufizuar me disa pika gjithë jetën e shoqërisë arbërore, në raport me atë evropiane, për mbyllje të këtij shkrimi po vendos disa pika, të cilat vijnë si rezultat i studimit të “Historisë së Shqypnisë” shkruar nga dom Ndoc Nikaj:
Arbëria kishte një jetë shpirtërore të zhvilluar.
Të gjitha kategoritë e njerëzve kishin profesionet e tyre.
Disa banorë kishin edhe një dell artistik.
Feudët kishin pushtet të plotë juridik e politik. © Andreas Dushi