Edi Rama për Raportin: Është BE-ja që nuk po i arrin rezultatet, jo Shqipëria
Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit ka thënë se Shqipëria ka bërë përparim në reforma, por nga ana tjetër nuk ka rezultat sa i përket integrimit të vendit.
Kryeministri Edi Rama tha sot se Shqipëria i ka arritur rezultatet, por është Bashkimi Evropian që nuk po i arrin.
“Ka një nuancë që duhet theksuar në fjalën rezultat. Në fakt, Shqipëria i ka arritur rezultatet që duhet të arrinte në këtë fazë, është BE-ja që nuk po arrin rezultat. Rezultatet që ka arritur Shqipëria janë në raport. Nëse ne vazhdojmë reformat dhe KE, që është gjykatësi i vetëm objektiv në këtë proces, nëse ne vazhdojmë të bëjmë përparim, këto përparime nuk i bëjmë se do të shkojmë të marrim provimin, por që të qëndrojnë këtu, që Shqipëria të bëhet më e mirë”, tha Rama.
Ndërsa, ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca u pyet nga gazetarët se çfarë duhet të bëjë Shqipëria më shumë që të ulet në konferencën e parë ndërqeveritare.
Ai theksoi se tashmë është koha që BE-ja të mbajë premtimin.
“Unë mendoj se integrimi ndodh dita-ditës, dhe Shqipëria po integrohet dita-ditës në BE edhe në sajë të shkëmbimeve të frytshme që ndodhin edhe në anën e asistencës financiare të BE-së. Për hapat e mëtejshëm, unë kam qenë tejet i qartë se Shqipëria ka dhënë rezultate dhe tani është koha që BE-ja të mbajë premtimin e vet, pra shtetet anëtare të lexojnë raportin dhe të gjejnë pikat e forta për të kaluar ato çështje dypalëshe që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ulen në atë tryezë”, tha Soreca.