Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë/ Politikanët serbë çmenden pas deklarates së Edi Ramës
Pas Vulin edhe Daçiq ka reaguar në deklaratën e kryeministrit shqiptar Rama, duke e quajtur provokim ndaj Serbisë, kur përmend “Shqipërinë e Madhe” dhe duke shtuar se kjo është dëshirë boshe dhe nuk ka asgjë nga ajo.
Sipas gazetës “Kurir”, Rama ka theksuar se qëllimi i karrierës së tij politike është që Shqipëria edhe Kosova të bashkohen.
Ai në një emision televiziv ka thënë se në planet e tij është bashkimi duke mohuar ndonjë interes të vetë personal, transmeton “Bota sot”.
“Unë jam president i Shqipërisë edhe Kosovës?! Kjo nuk është në planet e mia! Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, po! Ky është synimi”, ka thënë i vendosur Rama.
Ai ka shtuar se pas 2030 e sheh vetën diku tjetër dhe larg nga politika, por kjo nuk e pengon që të ketë planin për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Lidhur me këtë kreu i Kuvendit të Serbisë Daçiq, për “Kurir” tha se “dëshirat e këtilla janë boshe”.
“Këto janë vetëm dëshira boshe, të cilat nuk i shpreh për herë të parë në opinion. Është e qartë se bëhet fjalë për provokim të ri ndaj Serbisë dhe atë në momentin e situatës së tensionuar mes Beogradit edhe Prishtinës. Por kësaj nuk duhet kushtuar shumë vëmendje. Kjo është dëshirë e tyre e kamotshme dhe ide edhe kështu mund të jetë, por jo plan i realizueshëm dhe real”, tha Daçiq.
Sa për përkujtim, Rama vite më parë ka bërë thirrje për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.
Ai në vitin 2016 në Prishtinë gjatë mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës edhe Shqipërisë ka deklaruar se duhen vendosur themelet kombëtare gjithë-shqiptare në regjion dhe pat deklaruar se “Shqipëria dhe Kosova janë një vend, një popull dhe një ëndërr e përbashkët”.