LajmeOpinion

Ta heqim Serbinë nga Kosova : deri tani ne kemi zgjedhur të kundërtën

Shumë marrëveshje e gjysmë marrëveshje mund të vijnë e të nënshkruhen. Të gjitha do të na vendosin çdoherë e në pozitë më të rëndë, jo se miqtë tanë duan të na vendosin në ato pozita, por sepse ne me mendësinë tonë kemi rënë në to. Deri sa një ditë të kërkojmë vetë të ulemi e të bisedojmë për kufijtë. Të ulemi për ta hequr Serbinë nga Kosova. Për ta rehatuar Kosovën, Serbinë, shqiptarët e serbët e gjithë qytetarët e Kosovës e të Serbisë.

Valon Murati

1. Spektrit politik që po e dominon skenën tonë politike i mungon krejtësisht vizioni politik për të ardhmen si dhe sensi i zhvillimeve gjeostrategjike në botë. Shumica e tyre mendojnë se ne jemi në pozitë për të pritur dhe kemi kohë sa të duash. Ata mendojnë se bota na pret ne dhe ne me kohën forcohemi. Ndërsa harrojnë se Rusia e Kina po forcohen, Serbia prin në rajon me investime të huaja, ndërsa status quoja për ne nënkupton regres e në asnjë variant progres. Në këtë drejtim ka dy vite që klasa politike në vend se të mobilizohet për të shfrytëzuar vullnetin amerikan për një zgjidhje të problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, është futur në një spirale konfrontimi të brendshëm për këtë temë duke bllokuar çfarëdo mundësie për një zgjidhje në një proces politik ku të gjithë do të kontribuonin. Ky konfrontim nuk e ka pasur dhe nuk e ka për motiv interesin e Kosovës, të qytetarëve të saj e as të shqiptarëve në përgjithësi. Motivi kryesor ka qenë dhe mbetet fitoret elektorale. Andaj nuk po mund ta çojmë kokën nga popullizmi për këtë temë dhe temat e tjera me rëndësi për vendin.

2. Dy janë mundësitë që kemi pasur dhe kemi nga dialogu me Serbinë:

— Ta heqim Serbinë nga Kosova;

— Të mbetet Serbia prezentë në Kosovë.

Varianti i parë e sjell zgjidhjen finale dhe nënkupton ripërcaktimin e kufijve me Serbinë përkatësisht bashkimin e pjesëve shqiptare të Kosovës Lindore me Kosovën dhe bashkëngjitjen e pjesës serbe të tri komunave veriore të Kosovës Serbisë. Gjithashtu një marrëveshje e tillë do të nënkuptonte rënien e parimeve të Pakos së Ahtisaarit nga kushtetuta jonë dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës. A është e lehtë kjo marrëveshje – jo! Por për bindjen time nuk ka rrugë tjetër dhe është dashur të gjithë të përqendrohemi rreth kësaj teme e ta mbarojmë me faqe të bardhë.

Varianti i dytë përfshin të gjitha zgjidhjet e që përfshijnë vazhdimin e status quos së tanishme; gjendjen e tanishme plus asociacionin; gjendjen e tanishme plus asociacionin me kompetenca ekzekutive; gjendjen e tanishme plus autonominë politiko territoriale jo vetëm për veriun por për të gjitha vendbanimet serbe plus eksterritorialitetin e kishave ortodokse (kjo e fundit mund të futet edhe në zgjidhjet e tjera të mëhershme).

3. Pra në të gjitha këto modele të variantit të dytë, në varësi se cila zgjidhje ndiqet, Serbia do të mbetet prezentë në Kosovë më pak ose më shumë. Kështu ajo do të jetë këtu qoftë vetëm përmes kushtetutës aktuale (siç është edhe tani përmes vetos së përfaqësuesve serbë), apo përveç kushtetutës aktuale edhe në varësi të modelit të autonomisë që do të ndiqet për serbët në Kosovë. Ky variant i dytë në të gjitha modelet e veta është rrënues për funksionimin e shtetit të Kosovës. Dhe ky jo funksionalitet do të jetë rrënues e gërryes nga brenda madje edhe nëse pranohemi në OKB dhe pranohemi nga vetë Serbia. Harrojini me këto modele luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik etj. Krye-agjendë do të jetë Serbia dhe ballafaqimi i vazhdueshëm me jofunksionalitetin e shtetit për shkak të ndërhyrjes serbe dhe të modelit të autonomisë serbe brenda Kosovës. Harrojini se do të na ndryshojë modeli i politikanëve aktual. Këtë model politikanësh do ta kemi vetëm dukja e tyre mund të ndryshojë.

4. Sidoqoftë refuzimi për të folur për kufijtë, injorimi i shqiptarëve të Kosovës Lindore në bisedime po na vendosin në pozitë shumë të rëndë. Amerikanët që e lejuan këtë temë që dy vite, kur ndeshën në refuzimin tonë, iu kanë kthyer temave ekonomike duke ua lënë, së paku për një kohë, evropianëve bisedimet politike. Tash në Uashington po thuhet se do të flitet për bashkëpunim ekonomik, madje për krijimin e një zone ekonomike të tipit Shenzen në Kinë, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nëse një model i tillë u ofrohet palëve, do të jetë interesant përgjigja e palës kosovare e cila nuk la gjë pa i thënë Edi Ramës për idenë e një bashkëpunimi ekonomik ballkanik, por ku do të përfshihej edhe Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia e me mundësi zgjerimi me Malin e Zi e Bosnjë dhe Hercegovinën. Në anën tjetër pritet që evropianët të vazhdojnë me dialogun politik. Nuk ka dyshim Serbia do të kërkojë implementimin e asociacionit të cilin e kemi ligj që prej vitit 2013. Kështu pozicioni i saj negociues do të fuqizohej edhe më tej. E prej aty do të kërkojë lëshime edhe më të mëdha.

5. Pala kosovare e papërgatitur si zakonisht do ta ketë vështirë t’i thotë jo një marrëveshjeje të tillë, apo të ngjashme e do ta ketë të vështirë t’i thotë edhe po. Çfarëdo miratimi i ndonjë marrëveshjeje nga Serbia e refuzimi i Kosovës do ta vinte Serbinë në avantazh edhe më të madh strategjik e ndoshta edhe do t’ia hapte dyert e integrimeve evropiane pa pasur nevojë për njohje eksplicite të Kosovës. E në anën tjetër nëse i themi po një marrëveshjeje problematike për Kosovën, cili do të jetë reagimi i publikut por edhe si të realizohej në terren diçka që e de-funksionalizon republikën tonë krejtësisht?

6. Kështu kjo mungesë vizioni dhe bllokimi i dialogut për më se dy vite na ka vendosur në pozita të dobëta e të rënda e na ka futur në qorrsokak. Siç do të kishte thënë baci Adem, politika jonë na ka “fut fellutave”. Shumë marrëveshje e gjysmë marrëveshje mund të vijnë e të nënshkruhen. Të gjitha do të na vendosin çdoherë e në pozitë më të rëndë, jo se aleatët tanë duan të na vendosin në ato pozita, por sepse ne me mendësinë tonë kemi rënë në to. Deri sa një ditë të kërkojmë vetë të ulemi e të bisedojmë për kufijtë. Të ulemi për ta hequr Serbinë nga Kosova. Për ta rehatuar Kosovën, Serbinë, shqiptarët e serbët e gjithë qytetarët e Kosovës e të Serbisë. Veç shpresoj se nuk do të jetë tepër vonë dhe se do të kemi edhe çka të fitojmë e jo vetëm të humbim nga ai proces.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button