U firmos sot Urdhri i Përbashkët ministror “Për miratimin e tekstit mësimor të përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli I.
Tashmë Diaspora do të ketë një tekst të përbashkët për mësimin plotësues, i cili do të bashkojë mësimdhënien në Diasporë dhe do të sigurojë cilësinë e mësimdhënies.
Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë për Miratimin e Teksteve Mësimore për Diasporën i ngritur në zbatim të marrëveshjes së miratuar midis dy shteteve, i koordinuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën me përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë, nga Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës, finalizoi sot punën e tij me nënshkrimin e këtij Urdhri të Përbashkët të firmosur nga ministrat përgjegjës për këtë proces, Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, znj. Evis Kushi dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci.
Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Dr. Mimoza Hysa, si një nga aktoret kryesore të këtij procesi, në fjalën e saj u shpreh:
“Qendra e Botimeve për Diasporën e zyrtarizoi nisjen e punës përmes mbledhjes së parë për ngritjen e Komisionit të Përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës më 22 maj të vitit 2019. Ishte një sfidë e madhe për një institucion të ri të çonte përpara një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes së dy vendeve për mësimdhënien në Diasporë. Ishte sfidë përballimi dhe zgjidhja e detyrave të brendshme, ishte sfidë bashkëpunimi me institucionet tona në Shqipëri, si dhe ajo më pas me institucionet e Kosovës. Sot në mbylljen e këtij procesi mund të themi se suksesin e përcaktoi roli i rëndësishëm i profesionistëve të fushës nga dy vendet, nxitja dhe mbështetja e mësuesve të diasporës, bashkëpunimi institucional, mirëkuptimi dhe ndërtimi i një modeli dhe shembulli të mirë ku respektohet hapësira dhe mendimi i secilit, si dhe pa dyshim mbështetja politike nga të dy vendet tona duke dëshmuar se gjuha është themeli ynë përbashkues.”
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, znj. Arbërie Nagavci, në fjalën e saj falënderoi Komisionin e Përbashkët Shqipëri-Kosovë për përmbylljen e procesit dhe theksoi domosdoshmërinë e krijimit të grupeve të punës nga institucionet përgjegjëse të dy vendeve për të hartuar një strategji me hapa konkrete për ecurinë e mësimdhënies në diasporë, me një qasje të përbashkët që do të ndihmojë në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe në mërgatë.
Lexo edhe: Diaspora zyrtarizon tekstet e unifikuara për mësimin e gjuhës shqipe
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe znj. Shqipe Gashi, nënkryetare e Komisionit të Përbashkët, dhe z. Arbër Salihu, anëtar i Komisionit, të cilët duke vlerësuar bashkëpunimin me kolegët e Shqipërisë për këtë proces, u ndalën në propozime konkrete për vijueshmërinë e punës.
Në mbyllje të takimit, znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës shprehu gatishmërinë e plotë për të mbështetur nismat dhe projektet për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve në fushën e arsimit.