Lajme

E konfirmon ambasada amerikane: SHBA do jetë në takimin Bislimi-Petkoviq në Bruksel

Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në takimin mes shefit i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq në Bruksel.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, një zëdhënës i ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.

“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe do të inkurajojnë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime”, thuhet në përgjigje.

Sipas këtij zëdhënësi, ngjarjet e fundit në veri, dëshmojnë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të lënë çështje të pazgjidhura.

“Siç theksojnë ngjarjet e fundit, dallimet midis Kosovës dhe Serbisë, nëse lihen të pazgjidhura, do të pengojnë investimet e huaja dhe do të shpejtojnë ikjen e trurit, duke parandaluar ekonomitë kosovare dhe serbe të arrijnë potencialin e tyre të vërtetë dhe të bllokojnë integrimin e ardhshëm në institucionet evropiane”, thuhet në përgjigje.

Ambasada e SHBA-ve i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i kthehen dialogut në mënyrë që të adresohen të gjitha çështjet.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të adresuar menjëherë këto çështje, përfshirë efektet në sektorin e energjisë dhe ekonominë më të gjerë që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Shtetet e Bashkuara nuk kanë një recetë se si të trajtohen këto tema; kjo u takon palëve për të diskutuar”, thuhet në përgjigje.

Të mërkurën në Bruksel pritet të takohen shefi i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.

Ky takim vjen pas deklaratave të cilat Bashkimi Evropian i ka pasur për ulje të tensioneve në veri të Kosovës, ku serbët po protestojnë tash e nëntë ditë për reciprocitetin për targat e automjeteve.

Gjithashtu mund te shikoni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Back to top button