Deputeti serb nga Jarinja/ jemi të vendosur të qëndrojmë në protestat tona, derisa të ketë një përgjigje nga Komuniteti Ndërkombëtar
Deputeti serb, Ljubomir Mariq është një nga serbët që po qëndron në Jarinje tash e disa ditë.
Sipas tij, situata në këtë pjesë po ndryshon nga ora në orë.
“Serbët janë në bllokadë për ditën e tetë. Situata aktualisht është e qetë, njerëzit qarkullojnë vazhdimisht këtu. Disa po largohen, të tjerë po vijnë. Njerëzit janë vendosur të qëndrojnë fort pas thirrjes së Listës Serbe. Ne jemi të vendosur të qëndrojmë në protestat tona, derisa të ketë një përgjigje nga Komuniteti Ndërkombëtar. Ne duam të dëgjojmë kur do të fillojë formimi i Komunave me Shumicë Serbe. Ato do të thonë shumë për ne, kur të shohim forcën e shtetit tonë”, tha ai për mediat serbe.
Tutje ai shtoi se Serbia është një vend i fortë, pavarësisht përvojës së hidhur nga periudha e mëparshme.
Ai madje tha se serbët nuk po bëjnë asnjë provokim.
“Mbështetja e ushtrisë serbe që qëndron pranë popullit ka një rëndësi të madhe, pavarësisht mesazheve joformale të ndërkombëtarëve që të dyja palët të tërhiqen dhe të qetësohen”, theksoi ai.
Mariq tha se serbët po kërkojnë vetëm të drejtat e tyre.
Duhet përkujtuar që tash e tetë ditë serbët po vazhdojnë të vendosin barrikada në hyrje të Jarinjes dhe Bërnjakut, në mënyrë që të bllokohet qarkullimi i automjeteve në formë proteste ndaj vendimi të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, ku kërkohet që secili automjet që hynë në territorin e Kosovës të ketë targat e përkohshme apo provuese siç quhen nga MPB.